“Mjafton që për një ditë të vetme të përjetohen kushtet në të cilat punojnë ata, për të kuptuar që meritojnë edhe ngritje të pagave, edhe ligj të veçantë për pensionet e tyre e edhe kushte më të mira të punës”, ishte kjo deklarata e janarit të vitit 2019 e tani të pares së shtetit, Vjosa Osmani, e cila këto ditë kur minatorët po kërkojnë pagën për punën e tyre, presidentja as edhe një fjalë të vetme s’e ka thënë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Vjosa Osmani, atëherë pjesë e Lidhjes Demokratike e Kosovës, pak muaj para se të kandidonte për Kryeministre të Kosovës, edhe i kishte vizituar nga afër minatorët, ndërsa kritikonte qeverinë e asaj kohe, atë të Ramush Haradinajt.
“Në vend se të dyfishojë numrin e këshilltarëve e pagat për vete, Qeveria e Kosovës do të duhej të merrte seriozisht kërkesat e minatorëve të Trepçës, të cilët tash e sa ditë janë në grevë”, thoshte Osmani në një postim të para më shumë se pesë vitesh.
Osmani, e cila ditën e djeshme pas takimit që pati me kryetarët e partive politike parlamentare, e që në konferencën për media foli për shumë çështje, s’gjeti kohë të prekte fare kërkesën e vetme të minatorëve, atë për ekzekutimin e pagave që kanë dy muaj që s’e kanë marrë.
Krahas Osmanit, Qeveria pati një reagim për minatorët, por në asnjë rrjesht të komunikatës së lëshuar nuk premtoi se pagat e minatorëve do të ekzekutohen.
Madje thanë se duhet të ulen shpenzimet dhe të rritet prodhimi, pasi përkrahja financiare varet pikërisht nga kjo gjë.
“Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre”, thuhej mes tjerash në komunikatën e ZKM-së.
/Reporteri.net/