Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar drejtësi për të gjithë të pagjeturit.
Përmes një postimi publik, PDK ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më shumë zgjedhjen e fatit të tyre, teksa i kanë bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, të shtojnë presionin mbi Serbinë për hapjen e arkivave, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, kujtojmë të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët janë zhdukur nga periudha e luftës së fundit, me shpresën dhe kërkesën që të zbardhet sa më parë fati i tyre. Institucionet e vendit duhet të angazhohen më shumë për zgjidhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur, ndërsa institucionet ndërkombëtare duhet të shtojnë presionin mbi Serbinë për hapjen e arkivave, si dhe të dënojnë kriminelët e luftës që janë përgjegjës për zhdukjen e tyre. Drejtësi për të pagjeturit!, Kjo është thirrja jonë e përhershme kolektive. Kosova nuk harron!”, thuhet në postimin e plotë të tyre.
Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kanë kaluar mbi 25 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa familjarët e më shumë se 1600 personave të zhdukur ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.
/Reporteri.net/.