×
  • Lajme
  • Lajme / Thirrja e LDK-së

    Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, Abdixhiku: BE-ja ta mbajë lartë në agjendën e saj presionin ndaj Serbisë

    Reporteri
    30 Gusht 2024 | 10:11

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar 1 mijë e 617 personat e zhdukur të Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të tyre.

    Teksa ka riafirmuar përkushtimin e LDK-së ndaj kauzës për zbardhjen e fatit të tyre, Abdixhiku ka thënë se ata përfaqësojnë plagën më të thellë dhe më të dhimbshme të shoqërisë së Kosovës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sot në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, kujtojmë 1617 personat që vazhdojnë të mbesin të zhdukur gati një çerek shekulli pas përfundimit të luftës. Ata përfaqësojnë plagën më të thellë dhe më të dhimbshme të shoqërisë sonë, një plagë që kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të fatit të tyre. Lidhja Demokratike e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj kauzës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve si dhe qëndron krah për krah me familjarët e tyre në mbështetjen e kërkesës për të vërtetën dhe drejtësinë”, thuhet në postimin e bërë nga LDK.

    Njëherit, Abdixhiku ka vlerësuar që Bashkësia Ndërkombëtare dhe BE, duhet ta mbajnë lartë në agjendën e tyre presionin ndaj Serbisë, në mënyrë që të gjithë të zhdukurve, që sot ende nuk u dihet fati, tashmë të gjenden.

    “Nuk ka asnjë dyshim se përgjegjësi i krimit e din se ku janë ato viktima. Lidhja Demokratike e Kosovës, gjithashtu bën thirrje që procesi i zbardhjes së këtyre rasteve të intensifikohet, duke mos lejuar që harresa të zbehë të drejtën për të vërtetën. Zbardhja e fatit të tyre mbetet një prioritet i yni i pandryshuar, dhe një detyrim moral ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet tutje në postimin e tyre.

    Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kanë kaluar mbi 25 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa familjarët e më shumë se 1600 personave të zhdukur ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!