Autor: Mentor Gjergjaj
Ardian Gjurajn e intervistova me 3 korrik 2018, një ditë para se Gjykata e Apelit ta njoftonte shpalljen e aktgjykimit lirues ndaj tij për akuzat për terrorizëm. Gjatë intervistës për të ndërtuar një rrëfim të tij, Ardiani nuk arriti të më bindte për pafajësinë e tij. Këtë e kuptoi edhe vetë ai, nga pyetjet me të cilat e sfidoja për udhëtimin e tij në Gaziantep, ku edhe ishte arrestuar. Ndaj edhe biseda me të zgjati shumë. S’ndalej së provuari të më bindte për të kundërtën. Një ditë më pas, rezultoi se Gjykatën e Apelit ai e kishte bindur me alibinë e tij. Më shumë se tre vite pas, të dielën, Gjuraj u arrestua sërish. Sërish për terrorizëm. Veç se këtë herë jo jashtë vendit, por për dyshimet se është pjesë e një grupi që po planifikonin një sulm terrorist në Kosovë. Lexoni në Gazetën Online Reporteri.net rrëfimin e kosovarit që haptas mbështeste “islamin fundamtental”, që në vitin 2018 u lirua nga akuzat për terrorizëm, dhe versionin e tij se për udhëtimin që i kushtoi me mbi një vit paraburgim, deri tek arrestimi i tij sërish dje, tre vite e tre muaj pasi i shpalosi publikisht planet që të hap në Pejë dyqanin ku shitet veç mish “hallall”.
Ardian Gjuraj, më 3 korrik 2018, kur e intervistova, ende nuk e dinte se Gjykata e Apelit e kishte liruar nga akuzat për terrorizëm. 28-vjeçari nga Peja kishte dalë nga paraburgimi në ditën kur u dënua nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në shkurt të atij viti.
Kjo gjykatë e kishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim për tentim shkuarje në ISIS. Lartësia e dënimit ishte e njëjta me kohën që Gjuraj kaloi në paraburgim.
Përpjekja e tij për t’iu bashkuar luftës në Siri i ishte penguar pak pa arritur cakun. Për këtë kishte edhe një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila në shkurt të 2018 e dënoi pejanin me një vit e pesë muaj burgim.
Por, krejt këto pretendime u rrëzuan me 4 korrik 2018 nga Gjykata e Apelit, e cila liroi 28 vjeçarin nga akuzat për veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj”, të mbetur në tentativë.
Kosovari, i cili një pjesë të jetës e ka kaluar në Gjermani, dje u arrestua sërish në vendlindjen e tij, në Pejë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Këtë herë si pjesë e një grupi prej 5 të dyshuarish që po planifikonin kryerjen e një sulmi terrorist në Kosovë. Policia dhe Prokuroria njoftuan se gjatë arrestimit të grupit në fjalë gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh shpërthyese. Shumë më shumë armë të ngjashme, u njoftua se u gjetën edhe të hënën, në disa lokacione tjera, e që dyshohet se u përkasin po të njëjtit grup, pjesë e të cilit dyshohet se është edhe Ardian Gjuraj.
Gjuraj, më 3 korrik 2013, ndodhej ende në pritje të vendimit të Apelit, kur nga oborri i shtëpisë po jepte rrëfimin e tij. Duke mos e ditur se Gjykata e Apelit veçse ka marrë një vendim për rastin e tij, ai dëshironte të besonte shumë se kjo gjykatë do të nxjerrë aktgjykimin që do t’i shkonte në favor atij.
I riu me mjekër deri tek gjoksi, derisa qëndronte i ulur në një karrige plastike, filloi të tregoj versionin e tij për udhëtimin në Turqi që pati dimrin e vitit 2015, e që i kushtoi me telashe të mëdha me drejtësinë në Kosovë.
“Unë kam shku për pushime atje [Turqi]. Ka qenë 12 dhjetor 2015. Jam arrestu në Gaziantep”, tregonte Gjuraj, që në fillim të bisedës, me 3 korrik 2018.
Ai, siç tregonte dhe vetë, gjatë udhëtimit ishte arrestuar nga autoritetet turke në Gaziantep, një qytet turk shumë afër Sirisë.
“Kam shku si turist. Një femër e kam pas njoftuar atje. Për një rrugë, dy punë. Ajo ka qenë turke”, vazhdonte tutje të tregojë pejani, që jo shumë kohë para kësaj ngjarje ishte kthyer i vetëm nga Gjermania në Kosovë.
Por, siç e shpjegonte ai, i ndodhur “në kohën e gabuar e në vendin e gabuar”, Ardian Gjurajt iu deshën disa muaj t’i kalojë në paraburgim në Turqi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Udhëtimi i tij për të takuar vajzën turke që e njoftoi nga Kosova përmes rrjeteve sociale, për të doli të jetë me shumë pasoja ligjore. Pasi, siç thoshte, gjatë një kontrolli legjitimimi që iu bë në një rast, ai nuk kishte me vete dokumentet të cilat pretendonte se i la në banesën ku ishte vendosur për qëndrim në qytetin Gaziantep.
Gjuraj tregonte vetë se edhe atje u dyshua se ishte terrorist, por pas dy muajve e gjysmë thoshte se u shpall i pafajshëm dhe u dërgua në një kamp refugjatësh.
Atje edhe humbi kontaktin me vajzën që shkoi ta takojë.
“Atje në paraburgim më kanë mbajtë dy muaj e gjysmë në Gaziantep. Mas dy muajve e gjysmë më kanë shpallur të pafajshëm dhe vetëm më kanë akuzu për mos posedim të dokumenteve të identifikimit. Për atë më kanë dërguar në një kamp i refugjatëve. Aty kom nejt dikun tre muaj e gjysmë, afër katër, në Kariasei. Jam mbajt vetëm sa kanë zgjatë procedurat e identifikimit tim”, shpjegonte i riu kosovar.
E kur u identifikua, kosovari që autoriteteve turke fillimisht iu prezantua me një emër rus, u deportua për në Kosovë. Ai iu dorëzua autoriteteve kosovare, të cilat e mbajtën në paraburgim një vit e pesë muaj. Gjatë kësaj kohe, Prokuroria Speciale i ngriti edhe aktakuzë dhe Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me burgim. Lartësia e dënimit që iu shqiptua ishte e njëjta me atë sa pejani qëndroi në paraburgim.
Më 12 shkurt 2016, kur u shpall aktgjykimi Gjuraj doli në liri.
“Unë krejt mendoj se është çështje politike. Krizat politike që janë në Kosovë dhe skandalet tjera që po bahen, për mbulimin e tyre, po përdorët si mashë terrorizmi. Në Kosovë terrorizmi nuk ekziston”. Kështu e përmbledhte ai mendimin e tij për betejën që pati me drejtësinë në Kosovë.
“Myslimanët në përgjithësi po persekutohen shumë në Kosovë. Arsyet janë të shumta. Një prej tyre është islamofobia. Shkurt, Evropës nuk i duhet një islam fundamental. Nuk e dojnë këtë islam. Edhe politika nuk ka dobi prej një islami fondamental”, vazhdonte tutje ai, duke pranuar se vetë është mbështetës i islamit fondamental, që ai e quan edhe islami real.
“Islami fundamental është Kurani. Libri dhe fjala e Allahut. Edhe sunetet. Me i përkthy në shqip sunet, është traditë, bindje e dikujna. Kshtu që na e njekim bindjen e sunetit të fundit, Muhametit a.s.. Këto dyja janë baza e islamit, që ndërtohet islami. Ky është islami fundamental ose real. Janë e njëjta. Islami autentitk”, shpjegonte ai për ideologjinë fetare që e mbështeste, duke treguar edhe se është i vetmi në familje që praktikon fenë. Këtë thotë se e ka nisur qysh në kohen kur ka jetuar në Gjermani, dhe ka punuar si ndërtimtar.
Pas daljes nga burgu, 28-vjeçari pejan në vitin 2018 thoshte se është ende në dilemë nëse jetën do ta vazhdonte në Kosovë, të qëndrojë në shtëpinë e tij që nga jashtë dukej moderne, në një nga lagjet më të mëdha të Pejës, apo të kthehet në Gjermani ku ka prindërit dhe pjesën tjetër të familjes.
“Boj naj punë të mirë ktu, shpinë e kam ktu”, thoshte Ardian Gjuraj në korrik të vitit 2018.
“Për atje [Gjermani] s’kam dokumenta njëherë. Afati i vizës më ka kalu. Me vazhdu skam mujt se kam qenë në burg. Nuk e kam të ndaluar me shku. Vepër penale skam në Gjermani e as kërkund në Europë, përveç këtu”, tregonte ai, duke provuar të na bindë se po të dojë mund të kthehet tek familja në Europë.
Gjuraj në Pejë banonte vetëm me dy hallat e tij, të cilat po ashtu nga dukja dukeshin moderne.
Ai tregonte se ka planet e tij që të hap një mishtore që ka vetëm produkte “Hallall”.
“Këtu [në Pejë] nuk ka hala ksi”, thoshte ai, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ardian Gjurajn, Gjykata e Apelit, me 4 korrik 2018 e kishte liruar nga akuzat për terrorizëm, pasi ka shqyrtuar ankesat e mbrojtjes së të akuzuarit e cila kishte kërkuar lirimin e Gjurajt nga akuzat si dhe ankesën e Prokurorisë Speciale që kërkonte rritjen e dënimit.
Apeli në aktgjykimin e saj vlerësonte se gjykata e shkallës së parë, me rastin e shpalljes fajtor të të akuzuarit, është bazuar në supozime dhe në bindjet fetare të të akuzuarit.
“Udhëtimi i tij për në Turqi, arrestimi i tij në mungesë të dokumentacionit në qytetin Gaziantep, apriori nuk e bëjnë të njëjtin fajtor”, thuhet në aktgjykimin e apelit.
“Nëse analizohet me kujdes vetë dispozitivi i aktakuzës shihet se ky dispozitiv nuk i përmbush elementet që duhet të përmban një aktakuzë ashtu siç parashihet në nenin 241 të KPP, pasi që mungon koha dhe vendi i kryerjes së veprës penale por edhe rrethanat të tjera të nevojshme për të përcaktuar me saktësi veprën penale, e që do kishin përmbushur një standard minimal përtej dyshimit të bazuar mirë që dikush të mund të shpallet fajtor”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.
Tre vite e tre muaj pas, më 10 tetor 2021, me urdhër të Prokurorisë Speciale, Ardian Gjuraj u arrestua bashkë me 4 persona tjerë. Kjo pasi sipas Prokurorisë së Shtetit, “ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 paragrafi 1lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2 i KPRK-së”.
Prokuroria Speciale njoftoi se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.
PSRK, njofton se personat e njëjtë dyshohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 2 i KPRK-së.
Po ashtu, të njëjtit dyshohen edhe për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2 i KPRK-së”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, neni 366 paragrafi 2 i KPRK-së”.
Ardian Gjuraj, pas daljes nga paraburgimi identifikohej me mbiemrin Qerkinaj.
Ergim Syla dhe Nehrudin Skenderi janë emrat e dy të tjerëve që e arrestuan gjithashtu si pjesë e të njëjtit grup 5 anëtaresh të dyshuar për terrorizëm.