Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, është shprehur i habitur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale, e cila i shpalli fajtorë dy krerët e kësaj organizate, Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj, dhe i dënoi me nga katër vjet e gjysmë burg dhe 100 euro gjobë.
Klinaku e ka quajtur skandal faktin që Gucati e Haradinaj u dënuan, e ai jo.
Sipas tij, do të duhej të arrestohej i gjithë grupi, shkruan Reporteri.net.
“Në aktakuzë po ashtu jam përmendur edhe unë qysh nga fillimi dhe të gjitha këto gjëra që i kanë bërë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë të njëjtat që edhe unë i kam bërë së bashku me ta dhe është çudia më e madhe që ata janë atje dhe unë jam këtu. Dmth nuk e di se këta ose punojnë me direktiva të dikujt ose s’e di… kjo do të duhej të ishte skandal se nëse i dënon dy persona dhe thua se kanë punuar në grup, do të duhej të arrestohej krejt grupi”, tha ai në Frontal të T7.
Klinaku megjithatë theksoi se nuk kanë bërë publikim të dokumenteve./Reporteri.net