I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka nisur me këmbë të hairit vizitën e tij në Kosovë, raporton gazeta online Reporteri.net.
Fiks gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, qeveria e prirë nga Albin Kurti i kërkoi Agjencisë Kadastrale që ta regjistrojë pronën e Manastirit të Deçanit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësuesi i lartë amerikan e ka cilësuar vendim të vështirë, por i domosdoshëm për Kosovën.
“Dua të përmend se sa shumë është i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastrin, ky ishte vendim i vështirë, por hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha Escobar.
Escobari ka pritur për gati dy orë derisa qeveria konfirmoi vendimin për Manastirin e Deçanit.
Ndërkaq, Kurti dy vjet më parë e kishte cilësuar si “vendim të Millosheviqit”, por po të njëjtin vendim ai e ka pranuar këtë të mërkurë në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sa i përket çështjes së dinarit, Escobari në takim me presidenten nuk ka folur. Por disa fjalë i ka shtuar Osmani.
Përfaqësuesi amerikan të martën në një takim online kishte përmendur pesë arsyet se përse SHBA-ja është kundër vendimit për ndalimin e dinarit./Reporteri.net/.