×
  • Lajme
  • Lajme / Rasti në Lipjan

    Drejtori i Policisë flet për rastin e Agon Zejnullahut: S’do të lejojmë çfarëdo forme të tejkalimit të autorizimeve policore

    Reporteri
    11 Korrik 2025 | 11:23

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka folur për rastin tragjik të ndodhur në Lipjan, ku një 27 vjeçar ka vdekur në duar të pesë policëve kosovarë.

    Hoxha ka thënë se nuk do të lejojnë çfarëdo forme të abuzimit apo tejkalimit të autorizimeve policore, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ai në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 62 të Policisë së Kosovës, i ka udhëzuar policët e rinj që çdo vendim, sado i vështirë të jetë, të jetë gjithmonë në përputhje me ligjin.

    “Ju duhet të mbani mend që duhet të merrni veprime të rëndësishme  gjatë punës suaj, por ju udhëzoj që  çdo veprim duhet të jetë harmoni me ligjin, me procedurat e brendshme dhe me urdhrat e eprorët tuaj.Jo çdo herë të gjithë duhet t’i kuptojnë veprimet tona, por ne duhet t’i kuptojmë ata…

    Dua të shpreh ngushëllimet për të afërmit e Agonit. Nga pozita e drejtorit të Policisë ju garantoj s’do të lejojmë çfarëdo forme të tejkalimit të autorizimeve policore, andaj kërkoj fuqishëm që inspektorati policor i Kosovës, hetimet tona të brendshme dhe institucionet tjera relevante të përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e vdekjes së qytetarit tonë”, ka thënë Hoxha.

    Më 7 korrik, Kosova u trondit nga një ngjarje e rëndë e cila ndodhi në qytetin e Lipjanit, ku Agon Zejnullahu, 27-vjeçar, mbeti i vdekur në pranga të Policisë së Kosovës.

    Lidhur me rastin janë arrestuar pesë policë nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia. Ndaj të njëjtëve dje është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Hetime kanë nisur edhe ndaj mjekes. Oda e Mjekëve të Kosovës përmes organeve të saj ndjekëse, ka nisur hetimet për dyshimet për mos dhënie të ndihmës së parë nga mjekja e ekipës së Urgjencës së komunës së Lipjanit në këtë rast. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!