×
  • Lajme
  • Lajme

    Drejtori i Thesarit pas vjedhjes së 2 milionëshit: E kam menduar dorëheqjen

    Reporteri
    24 Tetor 2020 | 8:33

    Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili, thotë për Radion Evropa e Lirë se e ka menduar mundësinë e dorëheqjes nga ky post, pas transferit të mbi 2 milionë eurove nga ky institucion në një kompani private.


    “E kam menduar dhe jam jashtëzakonisht i thyer pas rastit”, ka thënë Ismaili, duke shtuar se pas zbardhjes së rastit, do ta shqyrtojë qëndrimin e tij në pozitën e udhëheqësit të Thesarit.

    Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda u arrestua, nën dyshimin, se përmes katër transaksioneve ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove në kompaninë private, LDA Group Sh.p.k.

    Ismaili pranon se më 9 tetor, kur ka ndodhur transferi, nuk ka qenë i informuar për rastin.

    “Unë nuk e kam ditur për transaksionin, dhe nuk mundem, sepse gjatë ditës ka raste që ekzekutohen 5,000 pagesa, këto pagesa, sipas udhëzimeve shkojnë te nivelet tjera, tek unë vijnë vetëm pagat”, tha Ismaili.

    “Labinot Gruda, ka qenë menaxher i tavolinës ndihmëse, ka pasur detyrë krijimin e përdorueseve të punëtorëve në sistem”, tregon Ismaili për REL.

    Ndërkaq, në një letër dërguar mediave, Ismaili e ka cilësuar këtë transfer si “veprim krejtësisht individual”.

    Sipas tij, në këtë rast janë “tejkaluar autorizimet ligjore, janë ndërmarrë veprime të palejuara dhe janë krijuar përdorues fals në sistem, duke thyer/resetuar fjalëkalime të zyrtarëve përgjegjës të ministrisë nga e cila janë marrë mjetet”.

    “Pra, ka përdorur qasjet nga sistemi për të bërë krim, i cili ka pasur për qëllim mashtrimin përmes manipulimit dhe thyerjes nga brenda të sistemeve, që bie në domenin e krimit kibernetik po ashtu”, tha Ismaili.

    Ndryshe, të enjten, më 22 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi Grudës masën e paraburgimit prej një muaji. Dy persona të tjerë, që thuhet se janë pronarë të kompanisë ku janë transferuar paratë, gjenden në arrati.

    Gruda, gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të enjten është deklaruar i pafajshëm për dyshimet që rëndojnë ndaj tij.

    “Ky veprim është kryer pa bashkëpunim dhe pa asnjë aprovim nga eprorët dhe i tillë është gjurmuar dhe të gjitha provat nga sistemi janë aty (audit logs), që tregojnë për kompjuterin personal (PC), përdoruesin (username) si dhe për adresën (IP) e kompjuterit të vendit të punës. Të gjitha këto qasje janë mbyllur dhe bllokuar të gjitha mundësitë për ndryshime më tej”, tha kreu i Thesarit, Ahmet Ismaili.

    Transferimi i 2 milionë eurove nga Thesari në një kompani private, sipas Prokurorisë së Shtetit është bërë më 9 tetor dhe i gjithë procesi i transferimit është kryer për 8 minuta, ka thënë organi i hetuesisë, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

    Kurse, më 16 tetor, Ismaili thotë se është konfirmuar pozitiv me koronavirus dhe aktualisht, së bashku me gjithë anëtarët e familjes, gjendet në vetizolim.

    Pavarësisht transferit të 2 milionëve, sistemi i financave publike, sipas Ismailit, është i sigurt dhe u nënshtrohet vlerësimeve të rregullta.

    “Rasti që ka ndodhur nuk mund ta rrënojë krejt një sistem, duke qenë se përmes këtyre proceseve dhe këtij sistemi ekzekutohet krejt buxheti i Republikës së Kosovës”, thotë ai.

    Sipas Ismailit, koha e zgjedhur për ta bërë këtë veprim kriminal “të paimagjinueshëm, vjen pas një pune tepër të rëndë që ka bërë stafi i Thesarit, në rrethana të pandemisë, duke punuar me orare të zgjatura”.

    Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se trasnferi i mbi 2 milionë eurove është kryer përmes një sulmi kibernetik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!