×
  • Lajme
  • Lajme

    “Duhet marrëveshje për pakicën serbe në Kosovë dhe atë kroate në Bosnje”, thotë Gabriel Escobar

    Reporteri
    30 Gusht 2022 | 21:27
    Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar

    Që nga Dejtoni [1995] e deri të shtunen e kaluar [njohja e letërnjoftimeve mes Kosovës dhe Serbisë], suksesi ka qenë dhe mbetet uniteti mes ShBA-së e BE-së, tha zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Pozicionin politik të kroatëve në Bosnje-Hercegovinë, dhe atë të serbëve në pjesën veriore të Kosovës, Escobar e trajtoi në një artikulim.

    “Duhet të kemi një marrëveshje që pakicat i bën të ndihen të përfaqësuar, të integruar dhe të vlerësuar”, tha emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor.

    Tri parti në Bosnje-Hercegovinë, tha Escobar, “dështuan ta kryejnë procesin e reformës [të Ligjit Zgjedhor]”.

    Kjo duke iu referuar çështjes së procesit zgjedhor për zgjidhjen e çështjes së votimit për Anëtarit kroat të Presidencës tripalëshe të Bosnjës.

    Një gjë të tillë blloku boshnjak i Federatës së Bosnje-Hercegovinës e ka kundërshtuar ashpër si “krijim të aparteidit zgjedhor”.

    Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, ka paralajmëruar se do të përdor Fuqitë e Bonit [fuqi ekskluzive që i burojnë nga Marrëveshja e Dejtonit] për t’ua kaluar këtë të drejtë kroatëve, siç e kanë serbët në entitetin serb, përkatësisht në “Republikën Serbe” të Bosnje-Hercegovinës.

    Schmidt ka mbështetjen amerikane, britanike dhe evropiane – por jo edhe atë ruse e kineze, të cilët e kanë kundërshtuar mandatin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke mos ia pranuar as raportet.

    Gabriel Escobar konstatoi se “shumica e problemeve në rajon në vitet e fundit janë të lidhura me trajtimin dhe statusin e minoriteteve në rajon – qofshin kroatët në Bosnje-Hercegovinë e qofshin serbët në pjesën veriore të Kosovës”, transmetoi agjencioni kroat i lajmeve “HRT”.

    Njerëzit nuk po e lëshojnë vendin për shkak se ata s’duan të jetojnë në shoqëri multi-etnike, vlerësoi top-diplomati amerikan.

    “Por, për shkak të korrupsionit”, tha ai duke iu referuar BeH-së.

    Në anën tjetër, emisari evropian i ngarkuar me çështje të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, foli me prospekte optimiste rreth zgjerimit të BE-së me rajonin.

    Agresioni rus mbi Ukrainën,  tha Lajçak, tregoi se zgjerimi nuk është çështje teknike – por, politike.

    Por, tha ai, Ballkani Perëndimor duhet ta shfrytëzojë momentumin për t’i bërë reformat. “Nëse s’e shfrytëzojmë, mos e fajësoni BE-në”.

    Bosnje-Hercegovina është përballur me përplasje të mëdha të brendshme politike rreth ligjit të diskutueshëm zgjedhor, përçka Kroacia më së shumti është treguar e zëshme, për përfaqësimin politik të tyre.

    ShBA, Britania dhe BE e kanë mbështetur Schmidt-in në veprimin e tij sipas fuqive ekskluzive për të imponuar një zgjidhje, po qe se ajo nuk arrihet vetiu nga forcat e brendshme politike.

    Në anën tjetër, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, së fundi i është kërkuar shtetit të Kosovës edhe nga ShBA./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!