Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka reaguar pas aksionit lidhur me dallaveret për patentë shoferë në qytetin e Pejës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një video të publikuar në Facebook, Durmishi ka thënë se i kanë raportuar këto raste më 2 shkurt të këtij viti, teksa ka shtuar se shpreson që kjo çështje do të shkojë deri në fund dhe se personat e përfshirë të marrin dënimin e merituar.
“Posa mora lajmin se në Pejë kanë ndodhur arrestimet e zyrtarëve për Njësinë e Patentë Shoferë në Pejë. Ne me kohë i kemi raportuar këto raste dhe më 2 shkurt kemi mbajtur një konferencë për media ku i kemi paraqitur të gjitha të gjeturat tona që kanë të bëjnë me krimin dhe korrupsionin në Njësinë për Patentë Shoferë në Pejë. Unë i falënderoj organet e drejtësisë për veprimet që i kanë marrë deri më tani dhe shpresoj e besoj se kjo cështje do të shkojë deri në fund dhe të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë do të marrin dënimin e merituar. Jemi të pakompromise në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit dhe unë sot gjatë ditës do ta bëj edhe një vizitë në Qendrën për Patentë Shoferë në Pejë për të parë se atje puna po vazhdon normalisht dhe pa asnjë pengesë”
Ndryshe, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka zhvilluar një aksion në qytetin e Pejës, pas dyshimeve për mashtrime me patentë shoferë.
Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj.
“Mundem me dhënë informatën se policia e Kosovës, Drejtoria rajonale në Pejë në koordinim me Prokurorin e Shtetit është duke zhvilluar një aksion në qytetin e Pejës, që është në zhvillim e sipër. Nuk mund të japim asnjë detaj tjetër për momentin”, tha Kurmehaj për Express.
Aksion në Pejë kundër mashtrimeve me patentë shoferë
Në shkurt të këtij viti, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi kishte denoncuar për keqpërdorime të mëdha në njësitë për patentë-shoferë.
Ai tha kishte deklaruar se ka qindra raste të dyshuara për keqpërdorime dhe qyteti që prin është Peja.
Prokuroria Themelore në Pejë, atë kohë kishin konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nisjen e hetimeve për dallaveret me patentë shoferë.
Prokuroria në Pejë nis hetimet pas dyshimeve se shumë patentë shoferë janë marrë me dallavere