Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Florian Dushi, ka thënë se LDK-ja ka dërguar komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese lidhur me masën e përkohshme të kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta mbajë peng në kohë të pa afatizuar procesin e formimit të Qeverisë.
Dushi ka thënë se edhe Presidenti Hashim Thaçi edhe LDK-ja i japin përparësi VV-së për krijimin e Qeverisë, porse sipas tij, kjo nuk mund të bëhet në një afat të pacaktuar.
“Argumentimi i VV ka qenë se e drejta për të dërguar emrin te presidenti për mandatar për formimin e qeverisë është e drejtë ekskluzive e tyre dhe se VV ka qenë në pritje të plotësimit të kushteve teknike, politike e administrative. Vullneti i partive shumicë është me rëndësi. Qëndrimi i LDK-së por edhe i presidentit është që t’ia njeh përparësinë subjektit të parë politik, por kjo nuk nënkupton mbajtjen peng siç kanë thënë ata në mënyrë të pa afatizuar procesin e krijimit të qeverisë”, ka thënë ai.
Kërkesën e VV-së dërguar Kushtetueses, Dushi e ka quajtur konfuze.
Ai thotë se e njëjta fillon me kontestimin e të drejtës së presidentit për të krijuar Qeverinë e re.
“Kërkesa është mjaft konfuze, fillon me kontestimin e të drejtës së presidentit për të vazhduar me procedurën edhe pas mocionit të mosbesimit për të krijuar qeveri të re, duke aluduar se neni 82.2 i Kushtetues është përcaktues në këtë rast dhe e detyron presidentit ta shpërndajë Kuvendin. Ne si LDK sa i përket këtij mendimi kemi argumentuar se dispozita është me përmbajtje alternative”, ka thënë ai.
Dushi thotë se Vetëvendosje pretendim kryesor e ka se presidenti nuk ka pasur të drejtë të ia jap mandatin subjektit të dytë sepse është e drejtë e subjektit të parë.