×
  • Lajme
  • Lajme

    E tmerrshme: Si u gjet e lidhur me zinxhirë vajza 10 vjeçare në Novobërdë

    Reporteri
    12 Prill 2019 | 21:43

    Një prind nga fshati Pasjak i komunës së Novobërdës dyshohet se ka lidhur me zinxhirë vajzën e tij 10 vjeçare e cila është me aftësi të kufizuara.


    Prindi është arrestuar dhe është nën masën e paraburgimit gjersa ndaj tij është ngritur edhe aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për kryerjen e veprës penale të “Privimit të Kundërligjshëm të Lirisë”.

    Kryetari i Shoqatës “Hendikos”, Fatmir Shurdhani deklaron se për rastin në fjalë janë njoftuar nga drejtori i shkollës fillore në fshatin Pasjak dhe më pas i është bërë vizitë familjes ku edhe e kanë gjetur të lidhur këtë fëmijë.

    Shoqata “Hendikos” në Gjilan e kishin vizituar këtë familje në këtë fshat dhe kishin gjetur vajzën e lidhur me zinxhirë në dy këmbët e saj.

    Shurdhani deklaron se ka biseduar me nënën e vajzës e cila ka sqaruar veprimet e burrit të saj.

    Sipas tij, mungesa e ndihmës nga ana e institucioneve komunale e ka rënduar edhe më shumë rastin. Thotë se tani me këtë rast është duke u marr edhe shoqata “Hendikos” e cila ka ofruar rehabilitimin e 10 vjeçare dhe njëkohësisht është udhëzuar prindi që problemin të adresojnë edhe tek institucionet komunale.

    Ai thotë se familja në fjalë jetojnë me asistencë sociale.

    “Drejtori i shkollës na ka njoftuar për këtë rast dhe së bashku kemi dal me atë dhe i kemi bërë vizitë familjes. Kemi gjetur të lidhur fëmijën dhe i kemi shpjeguar familjes se kjo është privim nga liria. Nëna e fëmijës ka deklaruar se nuk ka alternativë tjetër sepse burri herë pas herë punon si punëtor krahu dhe e ka lidhur për çështje sigurie ngase kanë frikë se ajo do të shkaktojë dëm vetvetes ose dikujt tjetër jashtë shtëpisë. Ajo ka deklaruar se pas kthimit në shtëpi të burrit të saj, fëmija lirohet nga zinxhirët dhe vazhdojnë jetën e tyre familjare. Ajo ka deklaruar se deri tani askush nuk i ka ofruar ndihmë nga komuna”, ka thënë Shurdhani, për Koha Ditore.

    Sipas tij, institucionet komunale duhet të ofrojnë përkrahje dhe të sigurojnë një buxhet me qëllim të përkrahjes së familjes.

    “Institucionet komunale duhet të kryejnë obligimin e tyre dhe të ofrojnë ndihmën për fëmijën në fjalë në bazë të vlerësimit mjekësor. Prindërit në mungesë të përkrahjes nga institucionet e kanë zgjedhur formën më të vrazhdë të izolimit në shtëpi. Asaj i duhet me pas një kujdestar të cilën duhet të sigurojnë institucionet ngase familja nuk është në gjendje që të përkujdeset për të. Ky rast tregon se ka një mungesë të vetëdijesimit institucional në raport me njerëzit me nevoja të veçanta. Kjo familje jeton nga asistenca sociale dhe nuk ka mundësi të sigurojë qoftë për barëra ose diçka tjetër për fëmijën e tyre. Prindërit në fjalë kanë edhe fëmijë të cilët janë me gjendje të mirë shëndetësore dhe vijojnë procesin mësimor. Për opinion temë arrestimi është i padrejtë ngase prindi nuk ka pasur njohuri se ku duhet të adresohet problemi dhe me arrestimin e tij është shkaktuar edhe një problem tjetër brenda familjes ngase për fëmijët nuk ka kush të përkujdeset”, ka thënë ai.

    Mbajti të lidhur me zinxhirë vajzën e tij 10 vjeçare, aktakuzë ndaj kosovarit

    Drejtori i shkollës fillore “Nushi dhe Tefiku” në fshatin Pasjak, Ali Mehmeti nuk ka dashur të prononcohet për këtë rast me arsyetimin se është i zënë. Ai ka deklaruar se vajza e cila ka vijuar procesin mësimor dhe e cila është gjendur e lidhur është me nevoja të veçanta.

    “Nuk kam kohë dhe rasti ka kaluar në polici dhe jam i zënë. Ajo është me nevoja të veçanta dhe me këtë rast është duke u marr Qendra për Punë Sociale”, ka thënë ai.

    Gazeta ka tentuar që të merr një përgjigje edhe nga drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Novobërdë, Fadil Gerbeshi mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur ngase telefoni i tij ka qenë i shkyçur. /kd/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!