Si kurrë më parë, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi pajtohen mes vete për ndonjë çështje.
Është Samiti i Ohrit ku Kosova nuk mori pjesë që u mbajt së fundmi, që ka “bashkuar” Thaçin e Kurtin.
Kurti ka thënë se Samiti i Ohrit apo mbledhja e dytë e kësaj vale të re të iniciativave rajonale nuk është dashur të mbahet.
“U mbajt takimi i parë në Novisad, u tha që në Ohër do të vijnë të gjithë dhe së pari aty nuk shkoi Kosova dhe së dyti Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina patën përfaqësim simbolik dhe besoj që kohën kur spostohet edhe Samiti i Parisit nuk ka pse të mos spostohej për një datë tjetër edhe ky i Ohrit. Pra për mua ishte e gabueshme dhe e pashpjegueshme ngutia që medoemos tani të mbahet kjo mbledhje në Ohër, në kohën kur dihej që Kosova nuk do të marrë pjesë”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për Report TV, shkruan Reporteri.net.
Kurti thotë se iniciativat e këtilla rajonale duhet të llogarisin në një gjë thelbësore, e ky sipas tij është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar midis Kosovës dhe Serbisë.
“Pra çfarëdo iniciative në rajon duhet t’i bëjë vendin parimit të reciprocitetit të cilin do ta vendos dhe zbatoj Qeveria e re e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër i ri.
Edhe LDK edhe VV edhe znj. Osmani edhe unë, gati 2/3 e votave të shqiptarëve kanë qenë për reciprocitet me Serbinë, vështirë të gjendet që ka diç tjetër sikurse për reciprocitet, prandaj iniciativat e tilla duhet t’ia bëjnë vendin parimit të reciprocitet që është kriter i mirë për marrëdhënie fqinjësore e bilaterale në përgjithësi”, ka deklaruar Kurti, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se si qeverie re dhe si kryeministër i ri, do ta mbledh qeverinë që ta diskutojnë këtë gjë, me ministrat, posaçërisht ata të fushës dhe me shoqatat dhe asociacionet e organizatat.
“Unë besoj si shqiptar duhet ta synojmë faktorizimin e kombit tonë kudo që jemi. Ne duhet të angazhohemi për bashkimin ekonomik, dhe liberalizimin Kosovë-Shqipëri dhe Shqipëri-Kosovë, ky duhet të jetë prioriteti ynë. Pra unë kam një çasje tjetër, unë besoj që Kosova e Shqipëria nuk do të mund të bashkohen as integrohen e afrohen nëse këtë e shohim vetëm përbrenda platformave e iniciativave rajonale. Unë pajtohem me ju se ajo çfarë po ndodh është t’i vihet prioritet kompensimit të Serbisë për humbjen e Kosovës e jo kompensimit të shqiptarëve për vuajtjet e tyre”, ka deklaruar Kurti. /Reporteri.net/.