Ministri i Jashtëm i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka organizuar një darkë për gjashtë krerët e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të rinovojë traditën e bisedimeve të rregullta “mbi rajonin me rajonin” dhe për të diskutuar hapur situatën dhe sfidat e Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me këtë takim, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka publikuar disa fotografi, para nisjes së darkës në kryeqytetin belg.
Po ashtu, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është prononcuar para fillimit të kësaj darke në Bruksel, gjersa ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët tonë.
“Republika e Kosovës, është shtet me rini shumë të talentuar. Ata e shohin Bashkimin Evropian si mundësinë për të studiuar e punuar këtu dhe për t’u kthyer e për të kontribuar në vendin e tyre. Në këtë aspekt kemi nevojë për liberalizim të vizave. Jemi i vetmi vend në Evropë që kemi regjim të vizave që për të rinjtë tanë është një pengesë e madhe për të studiuar e për të bërë biznes. Shumica e popullsisë në Kosovë është rreth 30 vjeç dhe me rini aq të talentuar është dëm që të kemi këtë murin e izolimit”, u shpreh Kurti.
Në darkën e thirrur nga Borell do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ai i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq dhe kryesuesi i radhës i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës Millorad Dodik./Reporteri.net