×
  • Lajme
  • Lajme / Misioni amerikan

    Efekti i vizitës së Escobarit në Kosovë

    Autor:Gent Mehmeti
    13 Mars 2024 | 14:48

    Për gati dy orë, emisari amerikan, Gabriel Escobar ka qëndruar në takim me presidenten Vjosa Osmani. Ndërkohë, pak metra larg zyrës së presidencës, kryeministri Albin Kurti i kërkoi Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta regjistrojë pronën e Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Menjëherë pas urdhrit të qeverisë së prirë nga Kurti, përfaqësuesi i lartë amerikan ka përfunduar takimin me presidenten Osmani. Përfaqësuesi i lartë amerikan të enjten pritet të takohet me kryeministrin Kurti.

    Escobari në konferencën e përbashkët për media me presidenten Osmani, në të cilën nuk kishte pyetje nga gazetarët, falënderoi nikoqiren, duke e cilësuar si garantuese të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

    “Ju jeni garantuesja kryesore e marrëdhënieve dhe trashëgimisë së marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës”, ka thënë Escobari në konferencën për media.

    Përfaqësuesi amerikan ka folur menjëherë për vendimin për Manastirin e Deçanit.

    “Dua të përmend se sa i rëndësishëm është vendimi i sotëm për Manastirin. Ishte vendim i vështirë, por hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, ka thënë Escobari.

    Më 6 mars, gazeta online Reporteri.net me burime të veta, ka shkruar se rregullimi përfundimtar i pronësisë së tokave të Manastirit të Deçanit nëpërmjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ishte kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Tokat e Manastirit të Deçanit “kompromisi” i Kosovës për anëtarësimin në KiE

    Burimet i kishin thënë Gazetës Reporteri, në fillimmars, se qeveria e prirë nga Kurti kishte nisur komunikimin me Komunën e Deçanit, për ta bindur kryetarin Bashkim Ramosaj që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Edhe SHBA-ja për vite me radhë u kishte bërë thirrje qeverive kosovare që ta respektojnë vendimin e vitit 2016 të Kushtetueses për tokat e Manastirit të Deçanit.

    Ndalimi i dinarit

    Ndërkaq, presidentja Osmani gjatë këtij takimi ka folur edhe për rregulloren e BQK-së. Ajo ka shtuar se aleatët janë pro zbatimit të Kushtetueses dhe në favor të planit më të qëndrueshëm të tranzicionit.

    “I dini qëndrimet e mia, por po e përsëris prapë. Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj rregulloreje është i mundshëm me bashkëpunim të plotë të aleatëve. Aleatët tanë janë pro zbatimit të Kushtetutës dhe në favor të planit tranzicional të qëndrueshëm, prandaj besoj që edhe kjo çështje do të ecet përpara me zgjidhje të përbashkët e në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, ka thënë Osmani në konferencën të mbajtur të mërkurën.

    Zëvendës-ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike i SHBA-së, Gabriel Escobar, një ditë para vizitës së tij në Kosovë, ka mbajtur një takim online me gazetarët për të përçuar mesazhet e tij. Escobar ka insistuar se vendimi për dinarin është i dëmshëm dhe për këtë ka përmendur pesë arsye.

    “Një është shpejtësia e implementimin. Nuk po diskutojmë  legjitimitetin e vendimit, por implementimin e vendimit. T’ua përkujtoj se Francës i është dashur gati një vit për të implementuar euron, ndërkaq në veri të Kosovës ka dashur të bëhet për më pak se tri javë. E dyta është se qeveria nuk ka ofruar alternativa të tjera, alternativa qeveritare, për t’i pranuar pagesat dhe këta njerëz dhe duhet t’i pranojnë ato”, ka thënë Ecobari në takimin online të mbajtur të martën.

    Arsyeja e tretë, sipas përfaqësuesit të lartë amerikan, është se nuk ka pasur shtrirje te komunitetet e prekura dhe prandaj shumë njerëz që janë ndikuar nga ky vendim janë lënë në huti se cili do të jetë hapi i radhës.

    “Për fund, dy javë para vendimit, Kosova me shtetet tjera të Ballkanit ishin pajtuar gjatë një samiti në Shkup se do të ishte një mekanizëm i pagesave deri në fund të këtij viti. Sikur të kishte pritur për mekanizmin e pagesës për pagesa transparente elektronike, kjo do të ishte zgjidhur. Arsyeja e pestë është se ne kemi pasur vështirësi që ta bindim Kosovën që të lejojë komunitetin ndërkombëtar që të ndihmojë në asistencë teknike, për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje. Pra, na duhet qeveria e Kosovës që të punojë me komunitetin ndërkombëtar që të gjejë një zgjidhje për këtë, do të thosha, vendim katastrofik, madje edhe inkompetent, që ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës”, ka thënë Escobari.

    Çështja e tokave të Manastirit të Deçanit

    Në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri i Kurti i kërkoi Agjencisë Kadastrale që ta regjistrojë pronën e Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Dy vjet më parë, kryeministri Kurti e kishte cilësuar “vendim të regjimit të Millosheviqit”, vendimin për Manastirin e Deçanit. Në shkurt të vitit 2022, Kurti kishte thënë se “vendimet e tilla nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”.  Vendimin është duke e jetësuar fiks në këtë shekull.

    Dorëzimi i Kurtit për tokat e Manastirit të Deçanit

    “Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, kishte thënë Kurti në një intervistë për RTK-në gjatë përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës në vitin 2022.

    “Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”, kishte thënë ai.

    Anëtarësimi në Këshillin e Evropës

    Kosova në maj të vitit 2022 kishte aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e kishte bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

    Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

    Me 24 prill 2023, gati një vit pas aplikimit, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, i organizatës më të rëndësishme evropiane për të drejtat e njeriut, sundim të ligjit dhe demokraci, me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare kishte vendosur në favor të përmbylljes së etapës së pare të anëtarësimit të Kosovës në KiE, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare.

    Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE, i cili pritet të paraqitet gjatë këtij muaji në Strasburg. Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim, e që pritet të ndodhë në fillim të majit të këtij viti.

    Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

    Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të vitit 2022 ishte përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!