Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbrëmë foli shumëcka në intervistën me Blendi Fevziun, duke mos lënë as temën e nxehtë të një “marrëveshjeje sekrete”.
Kurti edhe kësaj here ka thënë se është i bindur se ekziston një marrëveshje në mes të Presidentit Hashim Thaci dhe presidentit Aleksandar Vuciq, shkruan Reporteri.net.
Mirëpo, një pikë e nxehtë e diskutimit ishte kur gazetari Blendi Fevziu i kërkoi fakte konkrete kryeministrit Kurti. Ai madje e përmendi rastin e Enver Hoxhës i cili, sipas Fevziut, akuzonte të gjithë kundërshtarët për marrëveshje sekrete e që në fund dolën paranoja.
“Kam parasysh që Enver Hoxha të gjithë kundërshtarët e tij i bëri me marrëveshje sekrete me Beogradin, me Athinën etj, por në fund rezultoi që të gjitha ishin thjesht paranoja. Pra deri tani ka një marrëveshje konkrete, ka një dëshmitarë konkret të kësaj marrëveshje? Sepse gjithkush mundë të pretendojë për një marrëveshje, mundë të dalë dikush dhe të thotë se ju keni një marrëveshje, me një palë të tretë, nuk ka rëndësi nesër mundë të ju vënë me Rusët. Pra a ka një gjë konkrete, a i referoheni një fakti konkret?”, ka pyetur gazetari Fevziu.
Kryeministri në detyrë i ka thënë Fevziut se imagjinata nuk duhet të ndalet vetëm tek Enver Hoxha pasi, sipas tij, nëpër botë ka shumë marrëveshje sekrete.
“Unë nuk mendoj që kufiri i imagjinatës juaj duhet të jetë Enver Hoxha. Pra ka marrëveshje sekrete gjithandej nëpër botë, janë bërë në të kaluarën, bëhen edhe sot e kësaj dite”, tha Kurti.
Fevziu ngulmoi për ndonjë gjë që e konfirmon duke replikuar se “jo mund të ketë patjetër” dhe pyetur Kurtin më pas se “a keni një fakt konkret po them, apo keni vetëm hipotezë?”.
“Një bashkëpunëtor i Presidentit të Kosovës ka biseduar me njërin prej njerëzve më të afërt të mi, dhe pak a shumë këtë qe e thashë unë ja ka paraqitur si një gjë shumë të favorshme për Kosovën, e cila jo vetëm që duhet të pranohet por madje do të kalonte edhe në referendum, nëse do të organizohej një i tillë”, u përgjigj Kurti.
“Si quhej ky këshilltari i Presidentit?”, pasoi pyetje e gazetarit, e cila nuk mori përgjigje nga kryeministri Kurti.
“Por as për këtë bashkëpunëtorin tim as për këshilltarin e Presidentit nuk kam pse ua them unë emrat. Ata kanë pasur një takim gjysmë formal, këtë e kam shpjeguar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por nuk besoj që janë marrur vesh për të gjitha hollësitë, mirëpo se nuk ka një ujdi midis tyre, unë nuk kam dilemma”, ka përfunduar kryeministri Kurti./Reporteri.net