Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar fëmijët dhe mësimdhënësit për fillimit e vitit të ri shkollor.
Përmes një postimi në Facebook, ka këshilluar prindërit që të kenë më shumë mbështetje sesa kritika, pasi sipas tij, në këtë mënyrë do t’i shtyjë fëmijët që gjithmonë të bëjnë më të mirën, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Të dashur nxënës, mësimdhënës e të nderuar prindër, Urime fillimi i vitit të ri shkollor! Për ju që po e nisni këtë rrugë për herë të parë, qoftë një rrugë e lehtë, e dashur dhe përplot me të arritura të shkëlqyeshme. Pa dyshim, rruga e suksesit në jetë fillon në bankat e shkollës. Të dashur prindër, e di që fëmijët ndoshta jo gjithmonë arrijnë sukseset që ne dëshirojmë për ta. Por, më shumë mbështetje sesa kritika, më shumë dashuri, më shumë punë me ta – do t’i shtyjë ata që gjithmonë të bëjnë më të mirën”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Përvec prindërve, Krasniqi ka uruar edhe mësimdhënësit, teksa ka treguar admirim për durimin dhe pasionin e tyre.
“Juve, të nderuar mësimdhënës, ju uroj një vit të mbarë e të palodhshëm. E admiroj durimin dhe pasionin tuaj për t’u dhënë fëmijëve tanë dije dhe dashuri. E di dhe e besoj se me ju, e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta. Prandaj, duke pasur gjithmonë parasysh interesin e fëmijëve tanë, të gjithë bashkë, pa përjashtim, t’u japim kujdesin dhe trajtimin që e meritojnë gjatë këtij rrugëtimi”, thuhet tutje në postimin e Krasniqit.
/Reporteri.net/.