×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi me ndërmjetësuesin

    Fillon takimi trepalësh për dinarin në Bruksel

    Reporteri
    25 Mars 2024 | 10:36

    Ka filluar një takim trepalësh mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar, njoftoi Radio Evropa e Lirë. 

    Për dallim nga takimi i javës së kaluar, kur Lajçak së pari mbajti takime ndarëse me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, në takimin e sotëm ai i takoi ata menjëherë në një takim trepalësh.

    Takimi i sotëm është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

    Ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë gjatë këtij takimi të sotëm.

    Çështja e dinarit, sot takimi në Bruksel në nivel kryenegociatorësh

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili u shfaq në Bruksel një muaj pasi kishte deklaruar se ai për çështjen e dinarit nuk do të shkonte në Bruksel, tha se do t’i dërgonin këto propozime për një zgjidhje afatshkurtër e afatgjate lidhur me dinarin.

    “U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi javën e kaluar.

    Lidhur me këto propozime, Bislimi kishte folur edhe në takimin me ambasadorin amerikan javën e kaluar, por që i njëjti tha para gazetarëve se nuk ishte njoftuar me ndonjë të tillë nga zëvendëskryeministri Bislimi.

    Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

    Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të shtunën se nuk ka propozim që Kosova i pranon e që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

    “Ata japin vazhdimisht propozime. Unë nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë. Unë po tregoj që ne i kemi ofruar një letër Bankës Popullore të Serbisë nga ana e guvernatorit, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, juve si gazetarë, mua si kryeministër dhe ne presim përgjigje nga ana tjetër”.

    “Për opsionet që kanë dhënë amerikanët, gjermanët, e të tjerët, unë besoj që duhet të flasin ata vetë”, u shpreh Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

    I pyetur më specifikisht se a janë refuzuar propozimet e Escobarit, Kurti përsëriti se nuk ka propozime që pranohen nga Qeveria e tij e që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së.

    “Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme. Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara”, u shpreh Kurti./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!