Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten gjatë një vizite në Beograd se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë dhe se nuk mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë pa kompromis.
I pyetur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Macron tha se kjo çështje “nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe, në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje”.
“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë”, ka thënë Macron.
Ai theksoi se Franca dëshiron që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Jini të sigurt se Franca do të vazhdojë t’i ndjekë me vëmendje të veçantë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë dhe, në këtë kontekst, jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Macron: Të shqetësuar për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës, nuk dërgojnë sinjal të mirë
Se Kosova dhe Serbia duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe të arrijnë marrëveshje që mund të mos jenë të lehta, e tha edhe emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin pas një vizite që kishte në Prishtinë, ku pati takim me krerët e shtetit.
Ai në një konferencë nga aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, tha se duhet vullnet për të bërë koncesione politike e për t’u pajtuar për marrëveshje politike që mund të mos jenë të lehta për Serbinë apo Kosovën.
“Ne duam që të krijojmë diçka më të madhe në tetor dhe javët vijuese do të jem në të gjithë rajonin pas Prishtinës për të përgatitur rezultate konkrete për popujt në Ballkanin Perëndimor që të ecim përpara së bashku dhe të ketë rezultate konkrete për jetën e të gjithë qytetarëve të rajonit. Për këtë na duhet kompromisi e nganjëherë edhe vullneti për të bërë koncesione politike për tu pajtuar për marrëveshje politike që mund të mos jenë të lehta për Serbinë apo Kosovën.”, tha ai.
Sarrazini tha se po largohet nga Prishtina i brengosur që ende nuk kemi arritur në atë moment.
“Po largohem paksa i brengosur që nuk kemi arritur në atë moment ende. Nëse nuk arrijmë rezultate më të mira për të ecur drejt samitit më 14 tetor jam I brengosur se nuk do ta arrijmë qëllimin tonë për të arritur një rezultat të fuqishëm që bashkëpunimi rajonal, tregu o përbashkët rajonal. Procesi i Berlinit është formati që arrin të sjellë rezultate konkrete për njerëzit në terren. Sot po bisedova më kryeministrin Albin Kurti, në të ardhmen do të shkojë në disa shtete tjera të Ballkanit perëndimor dhe do tu kërkojnë që të bëjnë gjithçka të mundur në emër të vullnetit të kompromisit për të arritur ato rezultate për lirinë e mallrave, të njerëzve të parave të tregtisë në të gjithë rajonin në një drejtim të përbashkët drejt BE-së.”, është shprehur Sarrazini. /Reporteri.net/