Gashi insiston se Astrit Dehari u vra, ekspertiza e tij hetim në të gjitha pistat

Avokati Tomë Gashi po vazhdon të çojë përpara idenë e tij, të familjes Dehari dhe të Vetëvendosjes, se Astrit Dehari është vrarë në burgun e Prizrenit.


Mirëpo, në asnjë prej raporteve nuk konstaton se Astrit Dehari është vrarë por kërkon hetime edhe në këtë pistë, duke hedhur dyshime te përfshirja e mundshme e një personi të tretë në ngjarje. Pra, kërkon hetime për të zbardhur nëse ka pasur persona të tretë në rastin e vdekjes së Dehrit.

Sidoqoftë, Avokati Gashi insiston se ish-anëtari i Vetëvendosjes është vrarë.

“Që nga dita e vrasjës më 05.nëntor 2016 e kam thënë me mijëra herë se trupi i ASTRITI DEHARIT e vërtetonvrasjen.Janë mbi 460.000 faqe që e kanë publikuar këtë.Dhe janë më shumë se 50.000.0000 / pesëdhjetë milon/persona që e kanë lexuar këtë se ASTRIT DEHARI është vrarë.Por u desht me prit 3 vite që edhe vrasësit të binden”se e kanë vra ASTRITIN. Kjo është një nga konferencat e para me 16. dhjetor 2016 ku me fakte shkencore nga ekspertiza e experteve të pavarur, dhe si pergjigje ndaj mohimit të vrasjës nga ana e zyrtarëve shtetëror, të cilët me shpirtin e tyre të zi e mohonin atë që e dinin me mirë se une.!”, ka shkruar Gashi, në një reagim në FB.

Rasti i Astrit Deharit u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Zvicra në të cilën thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje. Kërkohet të bëhet një hetim i ri për të shikuar edhe pista tjera përfshirë edhe përfshirjen e ndonjë personi të tretë në këtë ngjarje. S’përjashtohet krejtësisht as vetëvrasje, por, kërkohet të hetohet edhe pista nëse një person i tretë është i përfshirë në rast.

Raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën. Në këtë dokument nuk përjashtohet krejtësisht as opsioni i vetëvrasjes por thuhet se është pak e besueshme se mund të ketë ndodhur një vetëvrasje, prandaj, kërkojnë hetime për të zbardhur të vërtetën.

“Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë E180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Dehari Astrit. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasje e z. Dehari Astrit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në konkluzionin e Ekspertizës së ardhur nga Zvicra.

Avokati dhe Familja e Deharit e kanë interpretuar ekspertizën duke thënë se ajo vërteton se Astriti është vrarë.

Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm terrorist mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes. Ka vdekur 78 ditë pasi ishte arrestuar derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i anëtarëve të VV’së është kthyer në rigjykim por ende s’është caktuar data.