Qeveria e Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të miratojë masat e reja anti-COVID, e të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga nesër.
Sipas masave të cilat janë bërë të ditura nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, veprimtaria e gastronomisë do të lejohet të zhvillohet deri në orën 21:00, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lidhur me këtë, Reporteri.net ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, i cili tha se e kundërshtojnë këtë masë.
“E kundërshtojmë çdo masë e cila vjen pa prezencën tonë ose pa prezencën e sektorit të cilit ia ndërpren punën ose ia kufizon punën. Dhe njëkohësisht e kundërshtojmë çdo masë e cila nuk e ka në anën tjetër subvencionimin ose përkrahjen ekonomike”, tha ai.
Tutje, ai shtoi se për këtë masë nuk kanë qenë të kontaktuar nga MSH-ja.
“Jo”, tha ai për Reporteri.net.
Ndryshe, sipas zëdhënësit të MSH-së Faik Hoti qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të kenë të tri dozat e vaksinës anti-COVID, apo edhe dy doza dhe testin PCR negativ.
“Sigurisht që do të ketë masa sa i përket hyrjes në vendin tonë, qytetarët që vijnë në vendin tonë sigurisht që do të kenë 3 doza apo 2 doza dhe testin PCR të freskët për të dëshmuar mund të ketë kufizime edhe të kalimit të disa shërbimeve nga forma e dhënies së shërbimeve fizike në online. Do të ketë kufizime sa i përket lëvizjes e dini që përpara ka qenë koha kur nuk ka pasur lëvizje nga ora 24:00 deri në 05:00 të mëngjesit, ndërsa tani kufizimet fillojnë nga ora 22:00 që automatikisht nënkupton që sektori i gastronomisë do të punoj një orë më pak që do thotë që veprimtaritë duhet të mbyllen në orën 21:00 si dhe do të ketë edhe masa tjera pa përjashtuar ndonjë sektor në mënyrë të veçantë. […] Ne presim që disa masa të prekin edhe qendrat e ndryshme tregtare ku qytetarët apo klientët që duhet të frekuentojë ato duhet të jenë të vaksinuar ose ata që refuzojnë vaksinimin duhet të kenë dëshmi mjekësore pse nuk mund të vaksinohen sepse kemi konsideruar se faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e rasteve Omicron janë këto institucione apo veprimtaritë super shpërndarëse dhe qendrat tregtare janë disa prej tyre”, theksoi ai.
Meqenëse tashmë disa shkolla për shkak të rasteve pozitive me COVID kanë vazhduar mësimin në distancë, Hoti u shpreh se sistemi arsimor do të vazhdojë sipas skenarëve të paraparë më herët për vijueshmërinë e mësimit.
“Sa i përket sektorit të arsimit ekziston udhëzuesi për masat e përkohshme sa i përket COVID-19 i cili zbatohet në fushën e arsimit dhe vendimmarrja nëse një shkollë do të vazhdojë me prani fizike të nxënësve apo me cilindo prej skenarëve që janë në funksion i takon task-forcave të shkollave në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe MASHT, dhe do të jenë edhe më tutje në funksion të tri opsionet të cilat janë zbatuar deri më tani”, u shpreh Hoti.
Gjatë 24 orëve në Kosovë, një person ka humbur jetën si pasojë e COVID-19, ndërsa janë regjistruar dhe 2 mijë e 708 raste të reja. /Reporteri.net/