×
  • Lajme
  • Lajme

    Gazetarët e Ballkanit: Kërcënimi i drejtorit të Reporterit nga biznesmeni Kryeziu, i rrezikshëm – policia nuk po na informon për rastin

    Reporteri
    17 Mars 2020 | 11:01

    Para disa ditësh, biznesmeni Latif Kryeziu, pronari i “AL Petrol ShPK” (Shell Kosova), ka adresuar kërcënime ndaj Drejtorit të Reporterit, Bekim Kabashi dhe familjes së tij. Krejt kjo pas  publikimit të artikullit “Pikat e karburanteve SHELL Kosova nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’“.


    Kryeziu përpos kërcënimeve që ia kishte bërë drejtorit të Reporterit përmes telefonit, kishte shkuar edhe më larg, duke kërcënuar edhe prindërit e tij, të cilëve u kishte shkuar në shtëpi.

    Kërcënimet ndaj drejtorit të Reporterit nga ana e biznesmenit Latif Kryeziu, i ka dënuar ashpër Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e cila përfaqëson më shumë se 8,000 anëtarë.

    Kjo platformë konsideron se ky rast është jashtëzakonisht serioz dhe paraqet një kërcënim të rrezikshëm për lirinë e mediave dhe integritetin fizik të gazetarëve.

    Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve mbështet thirrjet e AGK-së për këdo që mund të ketë pretendime kundër shkrimeve gazetareske për të ndjekur rrugët ligjore dhe të mos përdorë gjuhë kërcënuese.

    Lidhur me kërcënimet ndaj Kabashit, Platforma Rajonale njofton se do të informojë organizatat vendase dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve.

    Reagimi i plotë:

    Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e cila përfaqëson më shumë se 8,000 anëtarë,  ka dënon kërcënimet e biznesmenit Latif Kryeziu ndaj drejtorit të Gazetës Online “Reporteri”, Bekim Kabashi.

    Sipas “Reporterit”, më 12 Mars 2020 rreth orës 19:00, Kryeziu e kërcënoi Kabashi përmes një mesazhi në “Whatsapp” ku ka shkruar “Mjer ju çka keni me përjetu”.

    Kryeziu pastaj së bashku me një person tjetër kanë shkuar në shtëpinë e Kabashit në Rahovec, ku kanë ushtruar presion të mëtutjeshëm te prindërit Kabashit. Sipas Reporterit, ky kërcënim ka ndodhur si rezultat i publikimit të artikullit “Pikat e karburanteve SHELL Kosova nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’“.

    Ky rast është jashtëzakonisht serioz dhe paraqet një kërcënim të rrezikshëm për lirinë e mediave dhe integritetin fizik të gazetarëve. Për më tepër, është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e papranueshme për AGK-në që ky kërcënim është shtrirë edhe tek familjarët, për të cilët sistemi gjyqësor duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme.

    “Që nga janari i vitit 2020, ne kemi regjistruar gjithsej 5 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve. Por ky është një rast edhe më serioz. Përveç kësaj duke e kërcënuar Kabashin, Kryeziu ka bërë presion edhe te prindërit e tij”, tha kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina.

    Përkundër faktit se AGK ka kërkuar më shumë informacione nga Policia e Kosovës për kërcënimin që ndodhi 13 Mars, ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

    Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve mbështet thirrjet e AGK-së për këdo që mund të ketë pretendime kundër shkrimeve gazetareske për të ndjekur rrugët ligjore dhe të mos përdorë gjuhë kërcënuese.

    Lidhur me kërcënimet ndaj Kabashi, Platforma Rajonale do të informojë organizatat vendase dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!