×
  • Lajme
  • Lajme / Grupet nacionaliste

    Gërvalla: Kërcënimet për bllokim të pikave kufitare, dëshmi e veprimeve destabilizuese të Serbisë

    Reporteri
    06 Shtator 2024 | 11:44

    Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se sot se kërcënimet për bllokim të pikave kufitare, janë dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste por edhe veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë,  të cilat  Gërvalla tha se shkojnë përtej kërcënimeve verbale, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Kosova mbetet e përkushtuar për partneritetin e saj me NATO-n dhe për forcimin e pranisë së saj në vendin tonë si një garanci e për mbrojtjes e paqes në rajon. Ne shohim Serbinë si një rrezik për stabilitetin rajonal, kërcënimet për bllokimet sot të pikave kufitare janë vetëm dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste por edhe veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë të cilat shkojnë përtej kërcënimeve verbale. Sovraniteti i Kosovës nuk është i diskutueshëm, jemi të vendosur që së bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, përfshirë Turqinë të vazhdojmë të ruajmë dhe forcojmë paqen në Kosovë dhe më gjerë”, tha Gërvalla.

    Gërvalla në këtë konferencë për media u pyet edhe për deklaratën e emisarit evropian, Miroslav Lajçak, i cili tha sot se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

    Kryediplomatja kosovare tha se nuk ka asnjë informacion për tërheqjen e këtij dokumenti. Ajo shtoi se Lajçak mund ta ketë pasur fjalën për tërheqje të pjesshme të asaj letre të ish-kryeministres Bërnabiq, e cila megjithatë Gërvalla tha se nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

    Kjo, kryediplomatja kosovare tha se është e papranueshme dhe me këtë qasje të Serbisë është vështirë të ketë vazhdim të dialogut në Bruksel.

    “Unë nuk kam asnjë lloj informacioni për ndonjë hap tjetër të Serbisë lidhur me tërheqje të çfarëdo dokumenti. Besoj se Lajçak  fjalën e ka për një tërheqje të pjesshme të asaj letre të ish-kryeministres Bërnabiq, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, gjë që është një qasje tërësisht e papranueshme për ne.

    Përshtypja që të krijohet në këtë proces të ashtuquajtur të normalizimit të BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë, është që sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më tepër që ata të çliruar nga ndikimi i bandave kriminale në veri, tentojnë ti kthehen jetës normale dhe të bëhen pjesë e shoqërisë dhe institucioneve, aq më shumë largohet Serbia nga normalizimi i ashtuquajtur. Ne kemi nevojë për një rishikim të procesit në tërësi, kemi nevojë që Komisioni i ri, persona te rinj që marrin detyrat e reja në Bruksel të kenë një strategji të qartë se ku të çon procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe si do të duket ky proces. Siç e kemi parë deri më tani, Serbia është shumë larg implementimit të marrëveshjes. Me këtë qasje dhe njëkohësisht me bllokimin e kufijve të Kosovës dhe një gjuhë që nxit vetëm konflikte dhe urrejtje është shumë vështirë që vazhdimi i procesit në Bruksel”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media të premten. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!