×
  • Lajme
  • Lajme / Britania i jep mbështetje Kosovës

    Gërvalla pas takimit me Cameron: Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit

    Reporteri
    04 Janar 2024 | 9:38

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, pas takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm britanik, David Cameron, tha se Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm kur ka pasur qëndrim të qartë dhe kur ka vepruar me vendosmëri.

    Në një konferencë për media të enjten në Prishtinë, Gërvalla ka thënë se ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.

    “Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla gjatë konferencës me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron.

    Gërvalla e ka falënderuar Cameronin për mbështetjen e vazhdueshme që Britania po i jep Kosovës në fusha të ndryshme.

    “Është kënaqësi e veçantë ta kemi në Kosovë ministrin e Jashtëm të Britanisë. Pas një kohe goxha të gjatë, është vizita e parë e një ministri të Jashtëm britanik në Kosovë. Gjatë bisedës, folëm rreth zhvillimit të jashtëzakonshëm të Kosovës në fusha të ndryshme, sidomos në sundimin e ligjit dhe demokracisë. E falënderova për mbështetjen që Britania i ka dhënë Kosovës para dhe pas luftës dhe rolin e Britanisë në ndalen e gjenocidit të Serbisë në vitet ’90. Kosova do të jetë përjetë mirënjohëse. E falënderova për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator”, ka shtuar Gërvalla.

    Ministrja e Jashtme ka thënë se e sheh Britaninë si aleate shumë të rëndësishme në NATO, “aty ku Kosova synon të anëtarësohet”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!