Ndërhyrja e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në zgjedhjet e përgjithshme të Bosnje-Hercegovinës duke i dhënë mbështetje Milorad Dodikut, është jo e duhur dhe e dëmshme ndaj proceseve demokratike të Bosnje-Hercegovinës, ka deklaruar Kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Shefik Gjaferoviç, përmes një komunikate të lëshuar për shtyp, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Gjaferoviç reagoi ndaj Viktor Orban, i cili përmes një videoadresimi të enjten i doli në përkrahje Dodikut për fushatën zgjedhore për president të Republika Srpska-s, ku edhe këtë entitet e quajti “fqinj nderi”.
“Përveç faktit se intervenimi në favor të një opsioni politik është problematike marrë në vetevete, mënyra se si kjo u bë është kontraverze. Është krejtësisht e papranueshme që Kryeministri Orban, përmes sugjerimeve magjike, e vendosi Hungarinë dhe Republika Srpska-n në të njëjtin nivel”, tha Gjaferoviç, dhe shtoi njëjtë sikur shumë njësi administrative brenda Hungarisë nuk janë shtete, ashtu edhe Republika Srpska është entitet në Bosnje, dhe jo shtet në vete”, përcjell Reporteri.net.
“Dhe, nëse do të ndërtojmë marrëdhënie të mira dhe fqinjësore, dhe që mendoj se është e domosdoshme dhe për të cilën unë jam përkushtuar në atë drejtim, e në veçanti edhe të afërsive shekullore me popullin hungarez – Bosnje-Hercegovina dhe Hungaria duhet të qëndrojnë për këtë”, ka thënë mes tjerash kryesuesi i presidencës.
Çfarë ka thënë Viktor Orban?
Në kohën kur fushata zgjedhore në Bosnje-Hercegovinë ka nisur zyrtarisht, kryeministri hungarez haptazi i ka dalë në mbrojtje dhe promovim liderit nacionalist serb të Bosnjes, Milorad Dodik, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Përmes një videoadresimi, kryeministri Orban e quajti entitetin serb të Bosnjes, përkatësisht “Republika Srpska”-n, “fqinj nderi të Hungarisë”.
“Hungaria dhe Serbia janë fqinj, por Hungaria konsideron Republika Srpska-n si fqinj nderi. Ajo çfarë ndodh në vendin tuaj është tejet e rëndësishme për neve. Afekton Hungarinë dhe tërë rajonin, por sigurisht se edhe jetët e juaja, dhe në jetët e miqëve tanë”, ka thënë Viktor Orban.
Orban i thurri edhe lavde politikanit më problematik të rajonit, Milorad Dodikut. “Tek ai, kam takuar një njeri që është i gatshëm të ruajë paqen”, tha përkundrazi Orban.
Ndonëse Dodik është Anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjes, Orban e quajti Dodikun “president të juajin” drejtuar votuesve.
“Zgjedhje të rëndësishme po vinë në Republika Srpska. E njoh presidentin tuaj, zotin Dodik, i cili është mik i mirë i Hungarisë dhe popullit hungarez, gjithashtu jam krenar për miqësinë me të. Në të kam takuar një njeri që është i gatshëm të ruajë paqen dhe që është i hapur për dialog, që advokon për respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe i cili në çdo rast mbron interesat e popullit serb”, ka thënë Orban.
“Gjithmonë kam mbështetur Dodikun dhe prandaj edhe dua të bashkëpunoj me të në të ardhmen. Shpresoj që pas zgjedhjeve do të kem mundësinë për këtë. Zoti i bekoftë të gjithë serbët anembanë Ballkanit”, përfundoi kryeministri hungarez në videoadresimin e tij mbështetës për Milorad Dodik./Reporteri.net/