Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.H., i akuzuar për ngacmim seksual.
Pas pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurit, kjo gjykatë të njëjtin e ka dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj.
Sipas komunikatës për media të kësaj gjykate, i pandehuri H.H., akuzohej se me 8 mars 2023 rreth orës 15:00 minuta, në Rr. “Fan S. Noli”, në Gjakovë, derisa të dëmtuarat ishin duke ecur në këmbë, në një moment e shohin të pandehurin, i cili ishte i zhveshur dhe bën me gjeste duke ekspozuar organin gjenital në drejtim të dëmtuarave.
“Të gjendur në këtë situatë të dëmtuarat ndërrojnë rrugën, por i pandehuri vishet dhe niset në drejtim të tyre dhe ju drejtohet me fjalën “përshëndetje”, më pas të dëmtuarat të frikësuara kërkojnë ndihmën e një kalimtari të rastit, ku me të parë kalimtarin e rastit i pandehuri largohet me vrap nga aty, ashtu që me këto veprime i pandehuri tek të dëmtuarat ka shkaktuar cenimin e dinjitetit dhe ka krijuar një mjedis frikësues”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.