×
  • Lajme
  • Lajme / Dështimi i konstituimit

    Gjashtë dështime, edhe sa herë do të propozohet Haxhiu për Kryeparlamentare?

    Reporteri
    29 Prill 2025 | 13:31

    Tentativa e tetë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka dështuar sërish të martën e 29 prillit.

    Në seancat çdo 48 orë, emri i propozuar edhe sot nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për të gjashtën herë ka dështuar të zgjidhjet në krye të këtij institucioni.

    Ndonëse për pesë herë radhazi ajo kishte marrë 57 vota pro, në seancën e sotme, Haxhiut i ra ky numër në 54.

    Në sallë të pranishëm ishin 110 deputetë, ku nga ta 44 votuan kundër dhe pati tri abstenime.

    Për këtë dështim të gjashtë, e propozuara, Albulena Haxhiu tha se Kuvendi duhet të konstituohet, ndërsa shpresoi në reflektim të opozitës.

    Ndërsa kur u pyet, se mund të ndodhë edhe një dështim i 10 i propozuar, Haxhiu nuk pranoi të deklarohej për këtë.

    Sipas Hekuran Muranit të VV-së, bllokadën po e shkaktojnë partitë tjera politike që po votojnë kundër dhe se sipas tij ka deputetë që janë të gatshëm të votojnë kandidaten e tyre të propozuar, por që s’po lejohen nga subjektet politike. Ai madje ka potencuar disa herë se emri i tyre në çdo votim do të jetë ai i Albulena Haxhiut.

    Në anën tjetër, partitë tjera politike kanë deklaruar se VV-ja po mundohet t’ua imponojë votën atyre, ndërsa nga PDK dhe AAK-ja presin që kandidatura të ndryshohet, e me këtë mund të ndryshojë edhe qëndrimi i tyre.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës konstituimit, tha se mentaliteti i imponimit nga partia e parë, duhet të marrë fund dhe se sipas tij VV-ja me qëllim po e mban të bllokuar Kuvendin.

    Për Hykmete Bajramin e LDK-së, VV-ja me vetëdije po e bllokon konstituimin e Kuvendit, dhe se me këtë krizë institucionale ajo thotë se po kjo parti po e dëmton ekonominë, po pengon zhvillimin dhe po thellon izolimin ndërkombëtar.

    Me shpresën se VV-ja do e ndryshojë kandidaturën në seancën e ardhshme, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se dhe mund të dilet nga kjo situatë. Ai ka theksuar sërish se partia që ai drejton është e hapur për këtë opsion.

    Sa i përket asaj nëse do ishte i gatshme për zgjedhje të reja, Haradinaj tha se ky do duhej të ishte opsioni i fundit si zgjidhje, dhe se duhet të bëhet e pamundura për të dalë nga kjo situatë.

    Në anën tjetër, deputeti i AAK-së Bekë Berisha kërkoi ndërhyrjen amerikanëve për situatën në Kuvend. Ai tha se po dëshmohet që “nuk jemi të zotë për të zgjidhur vetë këtë situatë politike”, deklaratë kjo të cilën e mbështeti edhe Haradinaj në deklarimin për media.

    Por për Fatmir Limajn e Nismës, nëse s’ka zgjidhje tjetër, atëherë duhet të pasojnë zgjedhjet. Ai tha se Nisma do të japë kontributin e saj për evitimin maksinal të procesit zgjedhor të cilin e cilësoi të panevojshëm, por jo me çdo kusht.

    Për këtë bllokadë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se dhjetë deputetë mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojnë interpretim lidhur me ngërçin në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas tij, Kushtetuesja mund të konfirmojë se kjo çështje mund të zgjidhet politikisht dhe se nuk mund të shkohet në zgjedhje.

    “Deputetët kanë mundësinë disa çështje me i ngrit në Gjykatë Kushtetuese përfshi edhe kushtetueshmërinë. Kanë drejtë 10 deputetë e bëjnë kërkesën e dërgojnë Gjykatë Kushtetuese sa i përket formës, ajo forma nuk ka problem sepse është konstatu kam përshtypjen. Sa i përket përmbajtjes me arsyetu gjendjen e cila pak ka gjasa që mund të zgjidhet politikisht. Gjykata Kushtetuese e jep një interpretim të caktuar qoftë edhe me konfirmime që nuk shkohet zgjedhje dhe duhet politikisht me u zgjedh”, ka thënë Hasani”, deklaroi Hasani.

    Vazhdimi i seancës është caktuar nga Kryesuesi Avni Dehari për të enjten në ora 10:00.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!