Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në fshatin Verbovc të Kllokotit.
Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Valon Osmani.
Ai tha se sipas deklarimeve të disa familjarëve, personi ka jetuar i vetëm dhe kishte probleme të njohura shëndetësore.
“Njësitet policore së bashku me ekipin mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se personi mashkull kosovar i vitit të lindjes 1977 është pa shenja jete. Gjatë hetimeve preliminare të zhvilluara nga hetuesit policorë në vendin e ngjarjes dhe në praninë e mjekësisë ligjore, nuk janë vërejtur shenja dhune apo lëndime në trupin e të ndjerit”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me qëllim të përcaktimit të shkaktarit të vdekjes, u shpreh Osmani.
“Hetues Policor nga njësiti i Hetimeve rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit po vazhdon procedurat hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit”, përfundoi ai.