×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjukanoviq në Prishtinë shpalos qëndrim ndryshe nga Abazoviqi për demarkacionin, çka tha Presidenti i Malit të Zi gjatë vizitës së parë në Kosovë

    Reporteri
    18 Maj 2022 | 21:43

    Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka nisur sot vizitën në Kosovë. Kjo është vizita e parë e tij në Prishtinë, ku do të qëndrojë edhe nesër. Gjukanoviq ka zhvilluar sot takime me krerët e shtetit. Gazeta Online Reporteri.net ju sjell detaje nga këto takime.

    Me nderimet më të larta shtetërore, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, është pritur sot në Kosovë. Ai ka nisur sot vizitën e tij dy ditore, me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.

    Pas pritjes, Gjukanoviq e Osmani kanë mbajtur takim. Ata vazhduan me një konferencë të përbashkët për media, menjëherë pas takimit.

    Osmani tha se vizita e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në Kosovë, përveçse është historike në aspektin e raporteve bilaterale, po ndodh në një moment të rëndësishëm për shtetin tonë dhe Ballkanin Perëndimor.

    Presidentja tha se ka kërkuar mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat e tjera, shkruan Reporteri.net.

    “Gjukanoviq është dëshmuar si aleat i rëndësishëm. Populli vlerëson kontributin e tij për njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe përkushtimin për t’i luftuar keqdashësit në rajonin tonë. Ky takim po ndodh në një moment të rëndësishëm në kontinentin tonë, rrjedhimisht në Ballkanin Perëndimor. Është thelbësore të qëndrojmë krah për krah kundër agresionit rus dhe satelitëve rus në rajon, për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Me Malin e Zi ndajmë bashkëpunim në një sërë fushash, duke theksuar turizmin. Nuk duhet ta harrojmë edhe kontributin e jashtëzakonshëm që Mali i Zi dha për Kosovën në vitin 1999, duke i hapur rrugën refugjatëve tanë”, ka thënë Osmani në konferencën për media.

    Pas Osmanit, fjalën e mori Gjukanoviq, i cili tha se Mali i Zi dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore.

    Presidenti i Malit të Zi tha  se e mbështesin e aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shkruan Reporteri.net.

    “Po përcjellim edhe zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi. Ne e mbështesim dialogun politik mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe besojmë që vetëm dialogu politik mund të çojë te një zgjidhje”, ka thënë ai.

    Ai u pyet edhe për çështjen e demarkacionit, teksa tha se kanë folur për këtë temë edhe me presidenten Osmani.

    Gjukanoviq përmendi marrëveshjen e nënshkruar më 2015 dhe tha se çështja e demarkacionit mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme

    Megjithatë, ai tha një komision i përbashkët do të shikojë për korrigjimet.

    “Dua të përgjigjem drejtpërdrejt. Kemi folur për të gjitha temat, që nuk janë probleme por çështje që kërkojnë zgjidhje, edhe për çështjen e kufirit. Miqësia arrihet me vështirësi dhe kur të arrihet duhet të ruhet me kujdes. Kemi marrëveshjen e nënshkruar më 2015.

    Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme. Ne nuk duam të krijojmë probleme. Jam i sigurt se do tu përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe përmes punës së përbashkët të komisionit për demarkacion të krijojmë kushte për korrigjime për të cilat do të pajtohemi dhe që do të kontribuojnë që ky kufi të jetë i logjikshëm dhe ashtu si duhet të jetë dhe të mos shërbejë si temë për rrezikimin e marrëdhënieve tona”, u shpreh Gjukanoviq.

    Por, ndryshe nga Gjukanoviq është deklaruar Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

    Në një intervistë të dhënë para një jave, Abazoviq ka thënë që çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën ka marrë fund.

    “Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë Abazoviq.

    Gjukanoviq dhe Osmani u deklaruan sot në konferencë edhe se janë kundër “Ballkanit të Hapur” dhe se Procesi i Berlinit është iniciativa e vetme që i duhet Ballkanit Perëndimor.

    “Jemi shumë të vetëdijshëm për mundësinë e bashkëpunimit rajonal ekonomik. Ky orientim parimor nuk do të thotë se i kemi sytë mbyllur. Por, ne mendojmë se në këtë temë kemi një iniciativë të mirë të Procesit të Berlinit. Kjo iniciativë është komplementare në rrugën drejt integrimit evropian”, tha Gjukanoviq.

    Këtyre deklaratave u ka reaguar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se Ballkani i Hapur e përshpejton Procesin e Berlinit, shkruan Reporteri.net.

    “Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, ka shkruar Rama në Twitter.

    Gjukanoviq është pritur në takim edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

    Sipas një njoftimi për media të Kuvendit, në takimin mes tyre u diskutua për aktualitetin politik, zhvillimet në rajon, agresionin rus në Ukrainë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe shtimin e intensitetit të aktiviteteve ndërparparlamentare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

    “Kryetari Konjufca shprehu mirënjohje për mbështetjen e presidentit Gjukanoviq dhe Malit të Zi ndaj Kosovës, derisa theksoi se forcimi i mëtejmë i raporteve të ndërsjella fqinjësore është një kontribut shtesë për stabilitetin në Ballkan dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike.

    Me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë, presidenti Gjukanoviq e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

    Sipas Kuvendit, Gjukanoviq ka shprehur gjatë takimit domosdoshmërinë e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Ndërkohë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka shtruar një drekë Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, meqenëse kryeministri Albin Kurti ndodhet ende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Për këtë drekë ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate drejtuar mediave.

    Aty se Bislimi dhe Gjukanoviq biseduan për dialogun e Kosovës me Serbinë, si dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, shkruan Reporteri.net.

    “Kosova dhe Mali i Zi ndajnë së bashku të ardhmen e përbashkët drejt Bashkimit Evropian, për të cilën po angazhohen maksimalisht në arritjen e objektivave të agjendës evropiane, në këtë rrugëtim gjithëpërfshirës që parasheh Procesi i Berlinit. Bashkëpunimi rajonal është një prej mënyrave përmes së cilës konsolidojmë përafrimin e vendeve tona dhe përkushtimin ndaj fqinjësisë së mirë. Gjithashtu, Kosova është e përkushtuar në përkrahjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të tyre në zhvillimin e vendit”, thuhet në komunikatë.

    Në komunikatën e ZKM’së s’përmendet nëse ata kanë folur edhe për demarkacionin.

    “Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe mbi dialogun me Serbinë, ku theksoi se Kosova është e përkushtuar në arritje të marrëveshjeve permanente për çështje të ndryshme, duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Marrëveshja si ajo e targave, nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala tjetër, që reflektoi interesimin e tyre për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshje. Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në këtë proces”, thuhet në komunikatë.

    Gjukanoviq ka zhvilluar takim edhe me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, i cili i ka dhuruar atij “Çelësin e Qytetit”.

    Ai tha se ky është simbol i miqësisë së kryeqytetit tonë, derisa e falënderoi përzemërsisht Gjukanoviqin.

    “Ky është Çelësi i Kryeqytetit, i shtëpisë tuaj, ndiejeni veten si në shtëpinë tuaj! Je gjithmonë i mirëseradhur”, ka thënë Rama.

    Gjukanoviq do të qëndrojë edhe nesër në Kosovë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!