Gjyqtari norvegjez i cili punoi për tri vite në EULEX zgjidhet kryetar i Kushtetueses në Speciale

Ndërsa jemi në pritje të nisjes së gjykimeve ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, kjo e fundit po vazhdon me ndryshimet në stafin përbrenda saj.


Specialja tanimë ka zgjedhur kryetarin e Kushtetueses që funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara të Gjykatës.

Gjykatësit e Kushtetueses kanë zgjedhur për kryetar gjyqtarin norvegjez, Vidar Stensland.

I njëjti, do të jetë në karrigen e kryetarit duke filluar nga 1 qershori.

Por kush është Vidar Stensland, gjyqtari norvegjez që ka shërbyer edhe në EULEX?

Stensland ka qenë gjykatës në Gjykatën e Apelit  të Halogalandit (Haalogaland) në Tromsë (Tromsø) që nga viti 2001.

Nga 2013 deri më 2016, ai punoi si gjykatës i EULEX-it, në gjykatën themelore të Mitrovicës, shkruan tutje lajmi.net.

Nga 2007 deri më 2009, punoi si këshilltar ligjor dhe më pas si kreu i Misionit Këshillimor të Norvegjisë për Shtetin Ligjor në Gjeorgji.

Nga 2004 deri më 2009, ishte anëtar i Komisionit për Rishikimin e Çështjeve Penale në Norvegji.

Nga 2000-2001, ai punoi në zyrën e vetë të avokatisë. Gjatë periudhës 1985-1999, ai ka shërbyer në poste të ndryshme në Prokurorinë e Norvegjisë si kreu i departamentit për ndjekje penale/zëvendësshef i policisë, prokuror i lartë në Norvegjinë veriore dhe në Autoritetin Kombëtar të Norvegjisë për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve ekonomike dhe ambientale.

Ai ka ligjëruar për të drejtën dhe procedurën penale, si edhe për të drejtat ndërkombëtare të njeriut në universitete të ndryshme në Norvegji dhe jashtë.

Gjykatësi Stensland është diplomuar si jurist nga Universiteti i Oslos (Norvegji).