×
  • Lajme
  • Lajme

    Grenell kthehet me seriozitet rreth deklarimit që Ujmani ta merr emrin “Trump”

    Reporteri
    24 Shtator 2020 | 20:42

    Emisari i Posaçëm e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, në llogarinë e tij në Twitter ka shpërndarë një lajm  ku thuhet për Liqenin e Ujmanit se ky është Liqeni Trump dhe ndodhet në Kosovë, shkruan Reporteri.net.


    Grenell ka shkruar se të dyja palët janë pajtuar që ky të jetë emri i ri i liqenit – Liqeni Trump.

    Kjo për shkak se sipas tij, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, patën probleme se si ta quajnë këtë liqe. Andaj edhe u propozua nga Grenell dhe u vendos më pas që të quhet Liqeni Trump.

    “Si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi ka qenë një pikë serioze diskutimi në dialog, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të bëhet një studim i fizibilitetit që të krijohen vende të reja pune në regjion. Andaj të dyja palët vendosën që ta quajnë: Liqeni Trump”, ka shkruar Grenell.

    Theksojmë se pak ditë pas takimi të Washingtonit, Grenell ka treguar se si e propozoi me shaka që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni Trump.

    Richard Grenell, gjatë një interviste për një radio amerikane ka shpalosur detaje të negociatave që kulmuan me marrëveshjen e Uashingtonit, duke pretenduar se mospajtimet Kosovë-Serbi rreth Ujmanit kishin të bënin me emrin e Liqenit.

    Në një moment gjatë negociatave në mes të dy shteteve, Grenell tregoi se si në tallje kishte propozuar që Ujmani të quhej Liqeni Trump.

    “Ky konflikt i perceptuar që në njëfarë mënyre është konflikt gjatë 21 viteve të kaluara… Kemi qenë të ngujuar për 21 vjet duke u munduar t’i bindim ata të pajtohen për fjalë dhe fraza”, ka thënë ai në fillim të intervistës.

    Më vonë ai është munduar që audiencës amerikane këtë gjë t’ia ilustrojë me shembuj.

    “Është një liqen atje, mbase nuk duhet ta përmend këtë pasi që dikush në Kosovë apo Serbi mund të zemërohet. Pjesa më e madhe e liqenit është në Kosovë, një pjesë e vogël është në Serbi. Teksa po mundoheshim ta gjejmë zgjidhjen se si t’i çojmë këto dy shtete drejt bashkëpunimit ekonomik, një prej gjërave që menduam është të gjejmë mënyra rreth liqenit, ka mënyra për krijimin e vendeve të punës përmes projekteve energjetike”, ka thënë ai, duke e vazhduar se ku, sipas mendimit të tij, kishin ngecur gjërat.

    Teksa, si ka vazhduar ai, SHBA-ja po i shtynte dy palët “drejt këtij momenti ekonomik, ato përplaseshin se si duhet quajtur liqenin”.

    “Shkaku është se kosovarët thoshin se duhet të quhet ashtu si e quanin ata, e serbët sipas emrit të tyre. E unë propozova të quhet sipas emërimit të Kosovës/ Serbisë. Kështu i zemërova dyja palët”, ka thënë ai.

    Ai ka vlerësuar se negociatat në Uashington ishin të zorshme.

    “Vazhduam ta quanim me dy emrat dhe askujt nuk i pëlqente. Ky lloj lufte rreth fjalëve, simbolikës është, si iu thashë liderëve të dy liderëve: Kjo nuk u jep njerëzve mundësi t’i paguajnë kreditë, nuk u siguron ushqim. Nëse vazhdoni të luftoni për simbolikë, mbiemra, folje, emra, nuk do të shkojmë askund.

    Lini anash këto gjëra dhe vazhdojmë me ekonominë. Më në fund e lanë, por unë, në tallje u thashë: Nëse s’pajtoheni rreth emrit, mund ta quajmë Liqeni Trump”, ka thënë ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!