Nënkryetari i dorëhequr i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, i ka komentuar kryetarit të dorëhequr të kësaj partie, Isa Mustafës.
Në postimin ku Mustafa flet për dorëheqjen e tij nga pozita e të parit të LDK’së, rrëzimin e Qeverisë Kurti, Kurtin dhe Osmanin, si dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vëmendje ka marrë komenti i Rugovës.
“Mos u lodh me fol e verteta eshte ajo qe po e flet”, ka qenë komenti i tij.
Ndryshe, kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është sqaruar edhe njëherë rreth largimit të tij nga pozita e kreut të partisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mustafa ka thënë se dorëheqja e tij ishte si gjest moral e jo si akt pendimi, shkruan Reporteri.net.
Mustafa ka deklaruar se do ishte i lehtësuar nëse do e dinte pse e ndëshkoi elektorati LDK-në, e nëse e ka ndëshkuar për prishjen e marrëveshjes me VV-në, nuk pendohet, sepse thotë se njëjtë të vepronte edhe sot.
“LDK, qytetarëve ua ka dhënë besën se do të implementojë vlerat e saj fundamentale në politikat qeverisëse, nuk ia ka dhënë besën se do të martohet politikisht me Lëvizjen Vetëvendosje.”, ka shkruar ai në Facebook.