×
  • Lajme
  • Lajme

    Hapet “GoFundMe” për Shahe Loshin, i duhen mbi 78 mijë euro për shërim në Turqi

    Reporteri
    19 Qershor 2025 | 19:07

    Shahe Loshi nuk la vend pa kërkuar ilaç për kancerin që iu shpërnda në trupin e saj. Mijëra euro për ilaçin i cili po ia lehtëson sëmundjen. I gjeti, s’i gjeti paratë – asaj çdo tri javë i duhet të marrë rrugën për në Turqi.

    Shteti turk është i vetmi vend ku 57 vjeçarja nga Peja po e gjen imunoterapinë e duhur për sëmundjen e saj.

    Prej vitit 2011, familja Loshi dha krejt çka pati, që e zonja e shtëpisë të luftojë sa më fort me sëmundjen e kancerit.

    Që të përballonte terapitë e shtrenjta, Shahja në rrëfimin e saj për Kiks Kosova më 12.06, tregoi se shitën krejt çka kishin e për vite me radhë u ndihmuan nga miqtë e të afërmit.

    Kur paratë e familjarëve e miqve u shterën një ditë, Shahja dhe bashkëshorti i saj filluan të kërkojnë ndihmë nga shteti.

    Pasi avancimi i sëmundjes së 57-vjeçares kishte arritur skajet, në Turqi asaj iu ofrua trajtimi me Enhertu, imunoterapi kjo e cila cilësohet si një ndër më të avancuarat por njëkohësisht edhe ndër më të shtrenjtat.

    I vetmi ky ilaç rezultoi të ketë ndikim në trupin e Shahes.

    57-vjeçares i duhet të paguajë 3500 euro për terapi çdo tre javë në Turqi.

    Xhepi i familjes Loshi nuk po e përballon një shumë të tillë, e shtetit sipas Shahes nuk i intereson aspak për gjendjen e saj.

    57-vjeçarja ka thënë se ishte disa herë në takime me Ministrinë e Shëndetësisë dhe u ofroi atyre disa opsione për zgjidhje.

    Ajo tha se gjendja e saj nuk e përballon pritjen derisa terapia e saj të futet në listë esenciale, në mënyrë që shteti të sigurojë atë ilaç.

    Me lot në sy, Shahja ka thënë se iu përgjëruan Ministrisë që t’ua rimburësonin faturat e ajo të vazhdonte trajtimin, mirëpo asnjëherë nuk u mor parasysh.

    Mediumi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për rastin e saj, mirëpo deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

    Prandaj, duke e parë gjendjen e rënduar ekonomike të familjes Loshi, në emër të saj është hapur një thirrje për donacion në “GoFundMe”, ku po kërkohen 78,630.62 euro ose 67,105 funte për shërimin e saj.

    Në këtë thirrje është bashkëngjitur edhe një letër e bashkëshortit të saj, Meti Loshi, i cili thotë mes tjerash se kanë ardhur në atë pikë ku pa ndihmën e të tjerëve nuk mund të ecin përpara.

    “Kam të gjithë dokumentacionin mjekësor të nevojshëm, të cilin jam i gatshëm ta ndaj me çdo person që ka nevojë për transparencë dhe besim”, deklaron mes tjerash Meti Loshi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!