Posta e Kosovës e ka hapur të enjten degën e saj të parë në Mitrovicë të Veriut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në hapjen e kësaj dege, teksa përmes një postimi, ka njoftuar se nga posta në veri, u ka dërguar një kartolinë familjarëve në Londër.
“Kënaqësi të jem konsumatorja e parë e pikës së re të Postës së Kosovës në Mitrovicën Veriore, nga ku u dërgova një kartolinë familjarëve në Londër. Së bashku me Ministrin Elbert Krasniqi, vizituam këtë pikë e cila, bashkë me tetë pikat tjera të Postës në 4 komunat veriore dhe në kufi, do të sigurohen që secili qytetar i Republikës së Kosovës ka qasje në shërbime cilësore, si shërbimet postare, pagesat për regjistrimin e automjeteve, dënimet në trafik, dokumentet personale e lincesat e ndryshme në institucione, ndër të tjera. Përveç shërbimeve postare e të pagesave, në këtë pikë ofrohen edhe shërbimet nga VALA – Telekomi i Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.
Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, kanë marrë pjesë në hapjen e kësaj dege, në orët e hershme të mëngjesit.
Disa aktivistë dhe përfaqësues të partisë politike, Demokracia Serbe, kanë protestuar kundër hapjes së kësaj dege.
/Reporteri.net/.