Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i mbështesë financiarisht invalidët e luftës për ndërrimin e protezave, që sipas tij, duhet të bëhet në mënyrë periodike dhe është e papërballueshme për xhepin e tyre.
Haradinaj thotë se një praktikë të tillë për ndihmë financiare ndaj invalidëve e ka ndjekur çdo qeveri, dhe ka ftuar që një gjë të tillë ta bëjë edhe ekzekutivi i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
“Gjatë Luftës Çlirimtare, mijëra bashkëluftëtarë u plagosën dhe u lënduan, e shumë prej tyre kanë nevojë për proteza për të ecur, parë e funksionuar normalisht në jetën e përditshme. Ato proteza duhet të ndërrohen periodikisht dhe pasi që janë të papërballueshme për xhepin e invalidëve, zakonisht qeveria merr përsipër këto shpenzime. Në mungesë të trajtimit dhe kujdesit për invalidët e luftës nga kjo qeveri, ka pasur organizim nga bashkatdhetarët, në rastin e ndërrimit të protezave për luftëtarët e dalluar të UÇK-së, Naim Qerimaj dhe Selmon Hasanaj. Janë edhe shumë të tjerë që kanë nevojë për këtë ndihmë. Kërkoj që qeveria e Kosovës të mos neglizhojë detyrat e veta dhe obligimin që e kemi për Invalidët e Luftës dhe sikur qeveritë para saj, të mbështes këtë trajtim të nevojshëm shëndetësor”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.