×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj përgënjeshtron Gjuriçin për Marrëveshjen e Uashingtonit

    Reporteri
    30 Gusht 2022 | 10:13
    Ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj

    Se a i është përmbajtur Serbia zotimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, ish-kryediplomatja Meliza Hardanaj thotë “zero”, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    E njëra nga pikat kryesore të cilave Serbia i është shmangur, është ajo e zhvendosjes së ambasadës prej Tel Avivit në Jerusalem, siç ishin zotuar palët në Shtëpinë e Bardhë.

    “Kaq për kredibilitetin e Serbisë”, shkroi Haradinaj në Twitter në një ripostim mbi një shkrim të ambasadorit serb në Uashington, Marko Gjuriç.

    “Paramendojeni ambiciet e Serbisë të jenë kah Shtetet e Bashkuara dhe t’u referohen argumenteve politike kundër Kosovës përmes Marrëveshjes së Uashingtonit – të cilën Serbia e implementoi zero nga gjashtëmbëdhjetë”, shkroi ish-kryediplomatja.

    Ky koment përgënjeshtrues erdhi ngase Gjuriç ditë më parë shkroi se Kosova refuzoi t’u qëndrojë zotimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit dhe Brukselit.

    Megjithatë, pa kundër-reaguar nuk qëndroi Gjuriç.

    “Më pëlqen postimi juaj, Melizë. Së pari, [Albin] Kurti vazhdimisht thotë se të gjithë ju nga qeveritë e kaluara keni qenë të korruptuar e kriminalë dhe prandaj Kosova nuk e njeh as Marrëveshjen e Brukselit dhe as të Uashingtonit”, shkroi Marko Gjuriç.

    “Edhe pse nuk është se e besoj se ka të drejtë në rastin tuaj, është mbase për disa të tjerë. Prandaj, është ai i cili haptazi  mburret tek e tërë bota se nuk po respekton marrëveshjet e ndërmjetësuara nga ShBA dhe BE”, tha mes tjerash politikani serb në përgjigje ndaj Haradinajt.

    Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë kishin nënshkruar marrëveshjen e Uashington-it, ku pika kryesore e marrëveshjes ishte zotimi për një moratorium njëvjeçar që Kosova të mos aplikonte në organizata ndërkombëtare dhe Serbia të pezullonte fushatën e saj për çnjohje ndërkombëtare të Kosovës.

    Gjithashtu njëra nga pikat ishte se shtetet zotoheshin që ambasadat t’i vendosnin në Jeruzalem. Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si rezultat i kësaj marrëveshje./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!