Për këtë të premte, ish-kryeministri Ramush Haradinaj planifikon të thërrasë mbledhjen e radhës të qeverisë që vetë e rrëzoi.
Disa burime kanë konfirmuar për KTV-në që Haradinaj planifikon t’i mbledhë ministrat e kabinetit në një mbledhje të radhës.
Nëse vazhdohet përpara me këtë plan, mbledhja e qeverisë do të mbahej një javë pasi që Haradinaj, në të njëjtin vend dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit, raporton KTV.
Neni 95.5 i Kushtetutës thotë se me dorëheqjen e kryeministrit, qeveria që udhëheq ai ose ajo, rrëzohet e tëra.
“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thotë Neni 95.5 i Kushtetutës së Kosovës.
Kushtetuta nuk ofron afate për mandatimin e kryeministrit të ri, në rast të dorëheqjes së kryeministrit paraprak.
Njohësit e rrethanave thonë se Kosova nuk ka qeveri, pas dorëheqjes së kryeministrit, dhe se Haradinaj nuk është në detyrë.
Haradinaj ka thënë se, me t’u kthyer nga Haga, do t’i hyjë garës politike për zgjedhjet e reja.