×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj u nis për krushk e përfundoi në State Department, Kurti niset drejt Dallasit pasi e kreu “turizmin” në Luginën e Silikonit

    Reporteri
    11 Maj 2022 | 20:31

    Atë që s’arriti ta bëj deri tash kryeministri Albin Kurti, sot e ka bërë kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj. Ai është pritur në Departamentin e Shtetit nga Emisari amerikan Gabriel Escobar. Takime të tilla s’ka pasur ende kryeministri Kurti, i cili pak më herët njoftoi se pas Kalifornisë, do ta vazhdojë vizitën në Texas, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Nga java e kaluar, kryeministri Albin Kurti dhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, po qëndrojnë për vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    I pari i Qeverisë s’ka zhvilluar ndonjë takim fort me rëndësi. Takimet e tij kanë qenë kryesisht me njerëz të biznesit.

    Ai sot ka përfunduar “turizmin” në Luginën e Silikonit. Për takimet që pati deri sot njoftoi pak më herët përmes një video, që e kishte incizuar te “Golden Gate Bridge”, ura e famshme në San Francisko.

    Tha se qëllimi kryesor i vizitës në shtetin e Kalifornisë ka pasur për fokus vendosjen e Kosovës në hartën botërore të investimeve në sektorin e teknologjisë së informacionit

    “Sapo përfunduam vizitën tonë dyditore në San Francisko të Kalifornisë. Në Silicon Valley, qendrën amerikane të teknologjisë së informacionit, zhvilluam një sërë takimesh me kompani të mëdha globale si Linkedln, VMWare, Airbnb, Microsoft dhe Uber; por edhe me firmat investuese Andreessen Horoëitz dhe Sumeru Equity Partners për të ofruar qasje në financa për talentet kreative të Kosovë. Jemi takuar edhe me qendra të inovacionit teknologjik dhe social, si dhe me profesionistë të teknologjisë së informacionit dhe inovacionit në kuadër të dialogut me mërgatën, e të cilët punojnë në Oracke, Facebook, Amazon, Apple, Netflix dhe shumë e shumë të tjera”, tha Kurti.

    Pas Kalifornisë, Kurti njoftoi se vizitën do ta vazhdojë për në Dallas të Texasit.

    “Qëllimi kryesor i vizitës sonë në shtetin e Kalifornisë ka pasur për focus vendosjen e Kosovës në hartën botërore të investimeve në sektorin e teknologjisë së informacionit. Kompanitë me të cilat u takuar i kemi njoftuar për progresin ekonomik, teknologjik dhe demokratik në Kosovë, për planet e Qeverisë sonë në të ardhmen dhe për mundësitë e pasura për investim në vendin tonë. Nga këtu fluturojmë për Dallas në Texas”, ka deklaruar kryeministri.

    Takimi i vetëm zyrtar që ka zhvilluar Kurti deri tash është ai me Drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

    Përmes një postimi në Tëiter, Kurti tha se ka biseduar me Albright për nisjen e negociatave të Kompaktit të Kosovës.

    “Një nder i veçantë për t’u takuar@MCC_CEO Znj. Alice Albright dhe për të nisur negociatat të Kompaktit të Kosovës. E falënderova për punën e palodhshme të MCC-së për të mundësuar Kompaktin, i cili do të bëhet investimi më i madh në sektorin e energjisë në Kosovë dhe që ripohon lidhjen e ngushtë që ndajnë vendet tona”, shkroi Kurti.

    Për dallim nga Kurti, takim të rëndësishëm ka zhvilluar kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, i cili fillimisht vizitën e nisi duke marrë pjesë në një dasmë tradicionale shqiptare në Amerikë.

    Ai është pritur sot në Departamentin e Shtetit nga emisari amerikan Gabriel Escobar, shkruan Reporteri.net.

    Haradinaj ka thënë se me Escobarin kanë biseduar për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, derisa ka shtuar se i ka thënë Escobarit se marrëveshja me Serbinë mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

    “Biseduam për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, dhe ripërsërita përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke dhe respekton integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Theksova se kjo gjë mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

    Ndryshe, muaji nëntor i vitit të kaluar, ishte caktuar për vizitën e të parit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit, për në Amerikë. Por, kjo vizitë ishte shtyrë për këtë vit.

    Lajmin e kishte bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili kishte njoftuar se vizita do të realizohej në pjesën e parë të vitit 2022.

    ”Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Washingtonin’’, kishte deklaruar Kryeziu.

    Për shtyerjen e kësaj vizite, ishte deklaruar edhe vetë Kurti disa herë, pas pyetjeve të gazetarëve. Sa herë që pyetej se kur do të shkonte atje, ai sugjeronte që të pyetej Shefi i Stafit të tij, Luan Dalipi.

    “Shefi i stafit të kryeministrit, z.Luan Dalipi është duke e përgatitur vizitën time në SHBA në fillim të vitit të ardhshëm, mirëpo ne nuk do të njoftojmë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë”, tha Kurti.

    “Do të shkoj besoj në muajin maj, do të zhvilloj takime me administratën Biden dhe diasporën tonë, unë i njoftoj ata paraprakisht, ata më mirëpresin, organizohen takimet, verifikohet agjenda, por, që ju do ta dini paraprakisht”, kishte deklaruar Kurti.

    Kishte deklaruar se në Amerikë do të qëndrojë 10 ditë apo dy javë, pasi është vend i madh për të qëndruar vetëm dy-tri ditë.

    “Sa i përket vizitës në SHBA, besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike, sepse nuk mund të shkojë për tri ditë atje. Dua të shkoj për 10 ditë ose dy javë, sepse është edhe një shtet më i madh, por edhe takimet që dua t’i bëj atje do jenë edhe më të shumta se sa në Evropë, ku mund të shkosh edhe për dy ditë”, u kishte thënë Kurti gazetarëve në muajin mars kur ishte pyetur se kur do të udhëtojë për vizitë zyrtare në ShBA./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!