Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se në takimin e sotëm me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ka diskutuar shqetësimin e përbashkët të Britanisë së Madhe dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë për veprimet e fundit të qeverisë kosovare në komunat veriore, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Hargreaves ka thënë se po ashtu është diskutuar edhe për një sërë çështjesh bilaterale duke përfshirë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe sigurinë, duke përfshirë rolin e forcave të Mbretërisë së Bashkuar në KFOR.
“Sot kam takuar kryeministrin Albin Kurti. Diskutuam shqetësimin e përbashkët të 🇬🇧 dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të 🇽🇰 për veprimet e fundit të qeverisë në veri të Kosovës.
Ne diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh bilaterale duke përfshirë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe sigurinë, duke përfshirë rolin e forcave të Mbretërisë së Bashkuar në KFOR”, shkroi ai.
Në anën tjetër, Zyra e Kryeministrit kur njoftoi për këtë takim nuk përmendi mospajtimet e fundit, por tha se kryeministri e falënderoi ambasadorin britanik edhe “për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”.
“Kryeministri falënderoi ambasadorin Hargreaves për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganën e Kosovës me pajisje teknike për luftimin e kontrabandës, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila po trajnon ushtarët e Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të operacionit Interflex dhe ka kryer misione të bashkë-zbarkimit me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ai gjithashtu veçoi faktin se tash Kosova është pjesë e mekanizmit UK Export Finance, që ofron më shumë mundësi për investime nga investitorët e Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në komunikatë.
Autoritetet e Kosovës të premten i mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës.
Kritika për veprimet e Qeverisë pati edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania e Mbretëria e Bashkuar.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka thënë se institucionet e mbyllura në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, punonin nën udhëheqjen e Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.