Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Serbia nuk i është përgjigjur kërkesës së ministrisë që ajo drejton për ofrimin e provave për kryeterroristin Milan Radoiçiq si dhe të tjerët që morën pjesë në sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas Haxhiut, Serbia duhet ta ketë të qartë se Republika e Kosovës është shteti i vetëm që ka të drejtë ta hetojë këtë rast.
“I jam drejtuar Serbisë në këtë rast institucioneve përgjegjëse për ofrimin e provave për kryeterroristin Milan Radoiçiq por edhe terroristet tjerë të cilët kanë marrë pjesë në këtë sulm. Serbia s’ka kthyer përgjigje, por ajo çfarë ka ndodhur së fundmi, Ministria e Drejtësisë i është referuar me kërkesë institucioneve të Republikës së Kosovës, kerkon prova për këtë rast. Duhet ta ketë të qartë Serbia që i vetmi shtet që ka të drejtë të hetojë këtë rast është Republika e Kosovës, në këtë rast Prokuropria Sepciale e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu në konferencën për media.
Ani pse kanë kërkuar nga Serbia që t’i dorëzojë provat në institucionet e Kosovës, Haxhiu tha se Serbia ka refuzuar, ndërsa shtoi se ndërkombëtarët duhet t’i bëjnë presion Serbisë për t’i dorëzuar kriminelët e luftës por edhe ata që kryejnë sulme terroriste në kohë të paqes.
Sipas ministres, partnerët ndërkombëtarë s’janë parë të bëjnë në publik presion ndaj Serbisë, ndërsa ndaj Kosova e bëjnë në vazhdimësi një gjë të tillë.
Haxhiu tha se Serbia është shndërruar në një vend ku po gjejnë strehë kriminelët e luftës dhe që në kohë paqe po kryejnë sulme.
“Është e rëndësishme që të gjitha provat lidhur me këtë rast Serbia t’i dorëzojë në Kosovë. Kërkesa e Serbisë është refuzuar. Është e rëndësishme që partnerët tanë t’i bëjnë presion Serbisë, që Serbia t’i dorëzojë kriminelët e luftës, por edhe ata që kryejnë sulme terroriste në kohë të paqes. Këtë presion, se kemi parë të jetë publik, për shkak se në vazhdimësi ka presione ndaj Kosovës, në anën tjetër ska presione për serbinë që të dorëzojë kriminelët dhe të bashkëpunojë me Kosovën. Kjo për mua është shqetësuses, pasi Serbia është shndërruar në një vend ku gjejnë strehë edhe kriminelët e luftës edhe ata që kryejnë krime në kohë të paqes”, tha Haxhiu para gazetarëve.
/Reporteri.net/