×
  • Lajme
  • Lajme

    Haxhiu: Ne besojmë në pafajësinë e ambasadorit Berishaj

    Reporteri
    12 Maj 2022 | 22:46

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur se i beson fjalëve të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

    Haxhiu ka thënë që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz kanë komunikuar me Berishajn, prandaj pas këtij komunikimi ne i besojmë pafajësisë së tij.

    “Unë jam në dijeni që në atë vend (Slloveni) ka qenë një luftë e ashpër sa i përket procesit te zgjedhjeve, prandaj duke parë edhe kohën kur ka ndodhur, ne besojmë në pafajësinë e tij, sepse edhe Kurti edhe Osmani edhe Gërvalla kanë pasur takim me të”, ka thënë Haxhiu në RTV Dukagjini.

    Ndër të tjera, ajo ka shtuar se edhe institucionet e sigurisë, si Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), e kanë verifikuar raportin e tij.

    Ajo ka thënë që edhe “Prokuroria Speciale në atë vend kanë shtuar që nuk ka ndonjë bazë për akuza ndaj tij”.

    Sipas Haxhiut, Berishaj nuk duhet të raportojë para saj, por para Presidentes, Kryeministrit e institucioneve të sigurisë.

    “Nuk është në mandatin tim që me e kontaktu Berishajn qe ai me raportu, ai duhet me raportu para presidentes, kryeministrit por jo para meje”, ka theksuar ajo.

    Ajo ka theksuar që Berishaj nuk po ik nga institucionet e drejtësisë, sepse nuk ka pasur ende ndonjë thirrje për të që të raportojë.

    “Meqenëse pretendime të tilla nuk qëndrojnë para Osmanit, Kurtit e Gërvallës, e as Prokurorisë Speciale dhe Agjensionit kundër Korrupsionit, ateherë ai nuk po ik”, ka shtuar Haxhiu.

    Ndryshe, një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net, ka zbuluar dhe dokumentuar se si afër dy milionë Euro kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.

    Ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë Euro të hyra, derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milionë Euro të hyra.

    Mbi gjysmë milioni të parave të derdhura në xhirollogaritë e këtij biznesi, sipas një raportimi në Slloveni, kanë hyrë nga Serbia, përmes filalit të GEN-I në Beograd – një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin. Berishaj nuk ka folur nëse edhe pjesa e tjetër e të hyrave kanë të njëjtën prejardhje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!