Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas dështimit të votimit të Qeverisë së propozuar nga Glauk Konjufca, duke e cilësuar vitin politik në vend si “vit të humbur e të lig” për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Haziri tha se vendi ka mbetur pa funksionim normal institucional, duke përmendur mungesën e Qeverisë, mungesën e Kuvendit funksional dhe mungesën e Prokurorit të Shtetit, ndërsa shumë shpejt, sipas tij, Kosova rrezikon të mbetet edhe pa buxhet të miratuar.

“Kosova, pa Qeveri, pa Kuvend të Republikës, pa Prokuror të Shtetit dhe shumë shpejt pa Buxhet,” shkroi ai.

Reklamë

Haziri theksoi se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për herë të katërt brenda këtij viti, duke shtuar se kësaj radhe “duhet të pyeten qytetarët”.

Ai u shpreh kritik ndaj bllokadës politike, duke thënë se asnjë veprim nuk është bërë për interes të Republikës, me përjashtim — siç ironizoi — të “Reprezentacionit të Kosovës në futboll”, që sipas tij po mban gjallë shpresën e qytetarëve në këtë periudhë krize.

“Mirë që shpëtuan ‘Logjikonomia’!”, tha Haziri, duke vazhduar me ton kritik ndaj gjendjes së përgjithshme në vend dhe mosmarrëveshjeve politike që kanë çuar në krizë institucionale.