×
  • Lajme
  • Lajme / Ambasadori amerikan

    Hovenier: Po përballemi me disa sfida me Qeverinë Kurti, ato kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë

    Reporteri
    21 Gusht 2024 | 12:20

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka potencuar sërish se Shtetet e Bashkuara se po përballen me disa sfida me Qeverinë Kurti, gjë e cila Hovenier tha se ka ndikuar në cilësinë e partneritetit mes dyja vendeve.

    Hovenier tha se megjithatë, përkushtimi i SHBA-ve për popullin e Kosovës mbetet i fortë e i hekurt si gjithmonë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Këtë deklaratë ambasadori amerikan e bëri në konferencën për media pas nënshkrimit të grantit nga presidentja Osmani në vlerë prej 34.5 milionë dollarë me USAID-in.

    “Shumë prej jush keni parë raporte në media për dallimet e tashme ndërmjet SHBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me veprimet e Qeverisë së Kosovës të cilat janë të udhëhequra nga Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Siç e kemi thënë edhe javën e shkuar po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë.

    Ashtu siç tha zëdhënësi i DASH-it, qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës  po e citoj: ‘do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”.

    Por, edhe pse disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme mbesin më pak pozitive sesa do të kishim shpresuar, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës mbetet po aq i fortë e i hekurt si gjithmonë”, tha Hovenier.

    Së fundmi Qeveria e Kosovës është kritikuar nga SHBA-ja dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për çështjen e Urës së Ibrit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së hënës foli për këtë çështje duke thënë se ka thënë se po dëgjohen me vëmendje gjitha vërejtjet e sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë.

    “Kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime e koordinim. Jam optimist se do të kemi edhe sundimin e ligjit, lirinë e lëvizje në njërën anë edhe paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër. Hapja e urës mbi lumin Ibër nuk është kundër askujt. Është për të gjitha komunitetet…Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet hapur edhe kjo urë”, ka thënë Kurti.

    Kurti ka thënë se janë të interesuar që hapja e urës të bëhet në bazë të planit që kanë ndarë me partnerët e aleatët amerikanë e evropianë.

    “Ne duam të bëjmë sa më parë. As nuk duam të befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë e amerikanë në njërën anë, e as nuk mund të lejojmë që çështja të zvarritet pafundësisht. Vullnetin e qëllimin e kemi të mirë”, ka thënë Kurti.

    Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk beson se marrëdhëniet me SHBA-në janë dëmtuar. Ai thotë se ai nuk është si kryeministrat tjerë të mëparshëm të Kosovës, por thotë se marrëdhënia që po ndërton me SHBA-në është më e fuqishme se kurrë. /Reporteri.net/

    Kurti për raportet me ShBA’në: Nuk ngjasoj me kryeministrat para meje – mospajtimet sporadike po bëhen lajme të mëdha

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!