×
  • Lajme
  • Lajme / Përplasja me BE-në

    Hoxhaj: Kosova nuk ka pasur asnjëherë qeveritar me mungesë të kulturës diplomatike si Bislimi

    Reporteri
    22 Shkurt 2024 | 20:39
    © Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

    Gjuha jo diplomatike e zëvendëskryeministrit dhe  kryenegociatorit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi po kritikohet nga opozita por edhe nga Bashkimi Evropian. 

    Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net ka thënë se Kosova asnjëherë nuk pasur ndonjë anëtar të qeverisë që ka pasur mungesë bazike të kulturës diplomatike që e ka dëmtuar aq shumë kredibilitetin e shtetit sikurse Besnik Bislimi.

    “Asnjëherë nuk ka pasur Kosova ndonjë përfaqësues apo anëtar qeverie, i cili për mungesë të dijes dhe të kulturës bazike diplomatike ka dëmtuar aq shumë kredibilitetin e shtetit të Kosovës sikurse zoti Bislimi”, tha Hoxhaj.

    Sipas tij,  këtë,  Bislimi e  bënë meqë ai dhe qeveria Kurti nuk janë të  interesuar që të zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit të arritur para një viti, më 27 shkurt 2023.

    ” Ata nuk janë të interesuar ta vazhdojnë dialogu, duke bllokuar edhe të ardhmen evropiane të Kosovës.”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.

    Dje, Bislimi ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga BE në Bruksel, ku pritet të diskutohet çështja e zbatimit të vendimit për ndalimin e dinarit serb.

    “Nuk është takim që duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Mirsolav Lajçak ka shkelur parimet e veta, ato që i kishte vendosur në vitin 2021 se s’do të ketë tema pa aprovimin e palëve”, ishte deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi ditën e djeshme, pasi bëri të ditur se kishte marrë një ftesë nga emisari evropian për takim në Bruksel lidhur me çështjen e dinarit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Bislimi tha se  do të shohin kush mund të shkojë që të bisedojë për dinarin në Bruksel, por që ai person nuk do të jetë nga ekipi i kryenegociatorit.

    “Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transfereve nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim që duhet të shkoj kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, tha dje Bislimi dje para gazetarëve.

    Një deklaratë e tillë nuk është pritur mirë nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së e quajti deklaratën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi “të papranueshme”.

    Madje, Stano tha se Bislimi duhet të vlerësojë përpjekjet lidhur me çështjen e dinarit, në vend se të bëjë akuza të pabaza.

    “Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha sot Stano, derisa konfirmoi edhe ftesën për takim në Bruksel më 27 shkurt.

    “Përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell pati takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Munih javën e shkuar, ku u diskutua kjo çështje. Si rrjedhojë e këtij takimi, i dërguari i posaçëm Mirosllav Lajçak i ftoi dy palët që të vinë në Bruksel me 27 shkurt”, tha ai për REL.

    Dy javë më parë, Bashkimi Evropian kishte kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së për operacione me para të gatshme të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

    Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga ShBA-ja të cilët vazhdimisht kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit, e madje një vendim i tillë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier tha se ka ndikuar në partneritetin me Kosovën.

    Në anën tjetër Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se vendimi për rregulloren e re do të zbatohet përmes një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj, duke përgatitur edhe një plan 10 pikësh./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!