Mbi 50 milionë euro vlerësohet të jenë humbjet në sektorin e Transportit, shkaku i masave shtrënguese të ndërmarra që nga marsi, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ka thënë kryetari i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj.
Ai ka kërkuar nga Qeveria në detyrë lehtësim të masave për transportin e udhëtarëve, duke thënë se një gjë e tillë është kërkesë e kompanive transportuese dhe të udhëtarëve.
“Sektori i transportit rrugor i udhëtarëve ka humbje të mëdha, duke pasur parasysh se janë mbi 2 mijë autobusë të cilët janë jashtë vendeve të tyre të punës, gjithashtu janë mbi 500 biznese të cilat nuk janë duke ushtruar veprimtarinë e tyre edhe pas lehtësimit të masave nga COVID-19, pra bëhet fjalë për një humbje mbi 50 milionë euro deri më tash. Meqenëse akoma nuk kemi të dhëna të sakta, por sigurisht që kjo do të jetë e mundur pasi të bëhet një analizë e mirëfilltë nga të gjithë operatorët dhe të shihen për së afërmi pasojat e shkaktuara nga Covid-19”, i ka thënë ksp-së Kurtishaj.
Ai në të njëjtën ka paralajmëruar mundësinë për protesta. Thotë se këtë gjë ia kanë dhënë shumë kompani, të cilat janë ankuar rreth humbjeve, duke kërkuar që puna e tyre të fillojë sa më shpejt.
“Kjo kërkesë vjen nga qytetarët e Kosovës dhe nga operatorët e transportit rrugor nga gjithë territori i Kosovës, të cilët për çdo ditë bëjnë thirrje te unë si kryetar i shoqatës që te kemi një takim me ta. Kërkojmë nga institucionet shtetërore që të bëhet e mundur hapja apo rifillimi i punës në sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve. Për këtë qëllim ne më 15 maj kemi caktuar edhe takimin me Shoqatën e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, ku janë të ftuar edhe nga Ministria e Infrastrukturës, me të vetmin qëllim për të parë se deri ku kanë mbërri masat për fillimin e punës në sektorin e transportit rrugor me autobus dhe në anën tjetër, nëse nuk është e mundur sigurisht që Këshilli Drejtues i Shoqatës është ai i cili merr vendime për hapat e mëtutjeshme sa i përket protestës për transportin rrugor”, ka thënë ai.