Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati është paraqitur sot para Gjykatës Speciale për herë të parë pas konfirmimit të aktakuzës.
Gucati para Prokurorisë Speciale është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, derisa ka thënë se ka luftuar për të mbrojtur vlerat e kombit shqiptar, shkruan Reporteri.net.
“Unë dhe bashkëluftëtarët e mi, kemi mbrojtur pragun e shtëpisë dhe atdheut tonë dhe si pasojë unë jam plagosur më 1999 dhe sot jam invalid i luftës së UÇK-së. Ne nuk e kemi pushuar Serbinë, jemi të pafajshëm, kam të drejtë të lirisë dhe shprehjes, është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbroj vlerat e kombit shqiptar dhe të UÇK-së. Në të gjitha pikat që mu lexuan deri më tash e ndiej vetëm të pafajshëm”, ka thënë Gucati në Gjykatë.
Ish-kreu i OVL-UÇK-së dyshohet për pengim të drejtësisë, përkatësisht “për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Gucati u arrestua në Prishtinë më 25 shtator nën dyshimet për pengim të drejtësisë. Ai u arrestua në zyrat e OVL të UÇK-së, në kohën kur Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu bastisje në këto zyra. Po të njëjtën ditë u arrestua edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, i cili po ashtu dyshohet se ka penguar drejtësinë. /Reporteri.net