×
  • Lajme
  • Lajme / Kronikë

    I dyshuari për gjuajtjen me armë dje në Aktash ende në arrati

    Reporteri
    04 Shtator 2024 | 9:09

    I dyshuari për gjuajtjen me armë dje në Aktash vazhdon të jetë në arrati.

    Ngjarja u raportua të ketë ndodhur rreth orës 14:19 kur një person është sulmuar fizikisht dhe është kërcënuar nën drejtimin e armës.

    Në lidhje me këtë rast nga Policia e Kosovës u bë e ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    “Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë / 03.09.2024 – 14:19. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se i dyshuari kosovar për motive të panjohura e ka sulmuar dhe i njëjti kishte përdorur edhe armën. Ankuesi ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari ndodhet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e sotëm 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Në pamjet e publikuara nga Gazeta Online Reporteri.net, shihet se si një person ia drejton armën në kokë një punëtori të një picerie.

    Kujtojmë se ky është rasti i dytë kur pati të shtëna armësh brenda pak ditësh në Aktash. Të dielën, pas një breshërie plumbash mes dy familjeve, Sekiraqa dhe Capat (Gashi), një anëtar i familjes të kësaj të fundit mbeti i vrarë.

    Policia ka arrestuar pesë persona të përfshirë në rast e që të njëjtit ndodhen në QKUK për tretman mjekësor pas lëndimeve të marra, ndërsa është në kërkim të personave tjerë të përfshirë.

    Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prishtinës pati thënë për Gazetën Online Reporteri.net se të dyja familjet kanë pasur konflikt edhe më herët, në muajin mars, ku një anëtar i familjes Capat pati mbetur i plagosur.

    Në raportin 24 orësh, Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta dhe një karikator me dy fishekë në rrugën “Gazmend Zajmi” në kryeqytet.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net, sot gjatë ditës se ka parashtruar kërkesë në Gjykatën e Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve të ndaluar të cilët ndodhen aktualisht në QKUK ku dhe sot është mbajtur seanca dëgjimore. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!