×
  • Lajme
  • Lajme / "Krye në veti"

    Instrumentalizimi i Policisë nga pushteti, institucionet paralele u bastisën pa autorizimin e Prokurorisë

    Reporteri
    15 Janar 2025 | 14:51

    Instrumentalizimi i Policisë së Kosovës nga Qeveria Kurti, për çka kishte alarmuar muaj më parë Ambasada e ShBA’së në Kosovë, u dëshmua edhe sot me aksionin që u krye për mbylljen e komunave paralele. Bastisjet në këto lokacione u kryen pa autorizimin e Prokurorisë. I gjithë aksioni u zhvillua nga Policia, MPB’ja, MINT e MAPL “krye në veti”, pa u përfillur procedura e parapara me Kodin e Procedurës Penale. Reporteri.net ju sjell detaje.

    Policia e Kosovës e ka nisur ditën sot me një aksion të gjerë. Në dhjetë komuna të vendit, janë kryer bastisje, që kanë rezultuar me mbyllje të disa zyreve paralele.

    Aksionin e konfirmoi për gazetën online Reporteri.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

    “Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa rajone të Kosovës, si DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu”, deklaroi Kelani.

    Më shumë detaje për këtë aksion dha Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai njoftoi se janë mbyllur komunat paralele në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyra tatimore ilegale.

    Sveçla shtoi se ky ishte aksion i përbashkët mes MPB’së e Policisë si dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    “Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tone”, shkroi Sveçla.

    Disa orë pas postimit të Sveçlës, Prokuroria Themelore e Prishtinës doli me reagim, ku tha se këto bastisje janë kryer pa autorizimin e saj.

    Në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria thuhet se organi i ndjekës nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve në këto lokacione meqë nuk kanë pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim nga institucionet dhe se nuk u është ofruar kurrfarë prove për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale.

    “Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka thënë se veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës ndikojnë direkt dhe negativisht tek qytetarët serbë etnikë të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik.

    “Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për Express.

    Ky zëdhënës i Ambasadës Amerikane tutje ka thënë se këto veprime janë bërë kundër këshillave amerikane dhe si të tilla e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.

    “Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Ju lutemi ndiqni platformat tona online për reagime shtesë nga Ambasada e SHBA”.

    Më 30 gusht të vitit të kaluar, Ambasada e ShBA’së kishte lëshuar një reagim pas një aksioni që ishte zhvilluar në veri të vendit për mbylljen e disa komunave paralele.

    Në atë reagim Ambasada alarmonte se Policia e Kosovës po instrumentalizohet vazhdueshëm nga Qeveria “për të kryer veprime të pakoordinuara”, teksa kishte paralajmëruar se këto veprime do të ndikonin edhe në natyrën e bashkëpunimit me këtë institucion.

    “Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës përgjatë shumë viteve si pjesë e përkushtimit tonë për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës nga ana e qeverisë për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës që të „vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”.  Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj”, thuhej në reagimin e ambasadës./Reporteri.net

    SHBA paralajmëron Ministrinë e Sveçlës: Qeveria ka instrumentalizuar Policinë, veprimet e pakordinuara në veri ndikojnë në bashkëpunimin tonë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!