×
Intervista

Valbon Krasniqi: Kapacitetet spitalore janë në limit, 900 pacientë me COVID po marrin trajtim, kemi nevojë për infermierë shtesë

Autor:Hasan Hoti
04 Prill 2021 | 10:00

Numri i madh i rasteve të reja të të infektuarve me COVID-19 dhe rritja e numrit të të hospitalizuarve, kanë krijuar një situatë të rëndë në sistemin shëndetësor. Këtë e ka thënë drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

Valbon Krasniqi alarmon se kapacitetet spitalore, pothuajse janë në limit. Thotë se aktualisht në Klinikat e QKUK-së dhe në Spitale të Përgjithshme, 900 pacientë të prekur me COVID-19 po marrin trajtime.

Duke parë rritjen e lakores me të infektuar, Krasniqi beson se institucionet relevante do të ndërmarrin masa shtesë për uljen e rasteve pozitive. Teksa ka folur për punën që është duke u bërë në SHSKUK, theks të veçantë i jep furnizimit me oksigjen të lëngshëm.

Sfidë e madhe për sistemin shëndetësor sipas Krasniqit është mungesa e infermierëve, ku shpreson që Ministria e Shëndetësisë do t’i mbuloj nevojat për staf.

Lexojeni/Ndiqeni të plotë intervistën e Drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

REPORTERI.net: Jemi pothuajse në një fazë të re të të infektuarve, na tregoni fillimisht si është gjendja me COVID-19 në ShSKUK?

Valbon Krasniqi: Sikurse e gjithë bota, po ashtu edhe Kosova u ballafaqua me Coronavirusin, ku rastet e para u konfirmuan më 13 mars të vitit të kaluar dhe këtë periudhë 1 vjeçare mund ta ndajmë në dy etapa. Kishim periudhën mars-qershor, ku ishte fillimi i pandemisë, kishte shumë të panjohura për këtë virus, dhe kishte një numër më të vogël të infektuarve. Në atë kohë arritëm që vetëm Klinikën Infektive t’i trajtojmë të gjithë pacientët që kishin nevojë për hospitalizim. Para se të konfirmohen rastet e para, ne si QKUK, veçanërisht Klinika Infektive në bashkëpunim me IKSHPK-në hartuam planin dhe caktuam ambulancën e pranimit të pacientëve që do të vinin si të dyshuar për COVID-19, pastaj caktuam repartin ku do të trajtohen dhe më pastaj trajnuam stafin e Klinikës Infektive për përdorimin e masave mbrojtëse personale si dhe analizuam materialin të cilin e kemi në dispozicion e që do të përballemi me këta pacientë. Në muajin prill, me shtimin e numrit të rasteve, e tërë Klinika Infektive u shndërrua klinikë për COVID. Në korrik dhe gusht, përveç Klinikës Infektive ne u detyruam që pacientët e prekur me këtë virus t’i trajtojmë edhe në Klinikën e Pulmologjisë, në Mjekësinë Sportive dhe spitalin e Vushtrrisë arritëm ta shndërrojmë në spital COVID, për regjionin e Mitrovicës.

Në aspektin e sigurimit të hapësirës qëndroni shumë mirë, por sa po ballafaqoheni me mungesë të personelit shëndetësor?

Krasniqi: Vendimi i Qeverisë i datës 5 korrik 2020, i obligoi institucionet shëndetësore që të riorganizojnë stafin shëndetësor në funksion të krijimit të stafit të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve me COVID-19, dhe me qëllim të arritjes së asaj, në SHSKUK e pata themeluar dy komisione, njërin për riorganizimin e hapësirave dhe gjetjes së hapësirave me shtretër dhe komisioni tjetër do të merrej me riorganizimin e stafit. Morëm vendim atë kohë që t’i pezullojmë pushimet vjetore për staf, pasi kishim nevojë për një staf më të madh të personelit, dhe në të njëjtën kohë organizuam që i gjithë stafi të shkojë dhe të punojë në njësitë COVID. Pjesa më e madhe e atij stafi u angazhuan, veçanërisht i atyre të infermierëve. Aktualisht kemi 2200 staf shëndetësor që kujdesën për pacientët të prekur nga COVID-19. Kemi ende nevojë për staf infermierorë, pasi që me mjek jemi shumë mirë pas punësimit të specializantëve por që nevojë më të madhe e kemi për infermierë.

E përmende që ende keni nevojë për personel shëndetësor, e sidomos për infermierë. Ndërkohë, ministri Vitia ka anuluar konkursin për pranimin e 210 persona si staf shëndetësor, çfarë do të thotë kjo për juve?

Ne presim që të kemi staf shtesë të infermierëve të angazhuar. Ne kemi plan për riorganizimin e komplet infermierëve dhe po ashtu kemi kërkuar që të rinisin këto procedura për punësimin e infermierëve, pasi që me të vërtetë kemi nevojë. E kemi biseduar këtë me ministrin Arben Vitia dhe kemi parë një mirëkuptim për të ecur më tutje në këtë drejtim.

Ndonëse nuk është në kompetencën tuaj, por duke parë numrin e madh të rasteve pozitive, a besoni se duhet të merren masa tjera uljen e lakores me të infektuar?

Ne si SHKUK në mënyrë të rregullt informojmë dhe raportojmë në Ministri të Shëndetësisë dhe IKSHPK-në në baza ditore për numrin e pacientëve që i kemi të shtrirë nëpër klinikat tona dhe një nga indikatorët kryesorë, siç ndodhë në shumë shtete edhe tek ne, është indikatori i shtretërve që i posedon për të ofruar shërbime shëndetësore. E kemi thënë që nga fillimi i muajit mars që këto kapacitete janë duke u shfrytëzuar maksimalisht dhe janë të stërngarkuara me numër të madh të pacientëve dhe ne besojmë që duhet patjetër që të ulet kjo lakore e numrit të madh të të infektuarve. Tashmë kjo i takon IKSHPK-së që me indikatorin e kapaciteteve me shtretër që ta analizojë indikatorë të natyrës epidemiologjike dhe të propozojë masa të caktuara, megjithatë patjetër duhet të ulet kjo lakore. Ajo që bie në sy sidomos këto muajt e fundit, pothuajse nuk ka fare ose ka një zbatim të vogël të masave dhe ne kemi kërkuar me ngulm që këto masa ekzistuese të zbatohen patjetër. Nëse do të zbatoheshin masat që janë në fuqi, mund të supozojmë që do të kishim një numër më të vogël të të infektuarve. Pa zbatimin e këtyre masave, lakorja do të vazhdojë këtë trend, ndoshta për t’i rritur edhe më shumë.

Krahas pandemisë COVID-19, me çfarë probleme tjera po përballet SHSKUK-ja?

Tani ne po përjetojmë një valë të re dhe fluks të madh të pacientëve, ku aktualisht kemi 900 pacientë që janë duke u trajtuar në nivel vendi. Të gjitha spitalet e përgjithshme po përpiqen në mënyrë maksimale t’iu vijnë në ndihmë dhe të ofrojnë shërbime pacientëve që janë të prekur. Aktualisht ne po përballemi me një presion për të rritur numrin e shtretërve që i kemi në dispozicion për shkak të numrit të madh të pacientëve, ku tashmë e kemi bërë të qartë se çdo rritje e numrit të pacientëve që vijnë dhe shtrohen në klinikat tona, do t’i zë vendin një pacienti me sëmundje tjera, prandaj kemi vazhduar të bëjmë thirrje me ngulm që të respektohen masat anti-covid dhe të ulët kjo lakore në mënyrë që të mos i tejkalojmë kapacitetet që janë të planifikuara. Megjithatë nëse vazhdon të rritet numri ne do të jemi të detyruar që të krijojmë edhe hapësira tjera. Sa i përket furnizimit me barna, ne kemi arritur ta stabilizojmë jashtëzakonisht mirë furnizimin me barna që përdorën për pacientët me COVID. Shumica e barnave që janë në udhërrëfyesin klinik për trajtimin e këtyre pacientëve, tanimë janë të disponueshme dhe të siguruara, me përjashtim të dy-tri barnave të cilat për shkaqe të ndryshme të procedurave të ankimimit, nuk kanë arritur të përmbyllen procedurat. E kemi zgjedhur definitivisht problemin e oksigjenit, ku kemi bërë investime substanciale, e ku kemi arritur t’i vendosim rezervuarët me oksigjen të lëngshëm nëpër Spitale të Përgjithshme dhe në QKUK. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!