×
  • Lajme
  • Lajme

    Isa Mustafa: Kurti e Osmani e penguan liberalizimin e vizave në vitin 2016, shkak ambiciet e tyre populiste

    Reporteri
    30 Nëntor 2022 | 22:00

    Autor: Rexhep Kameraj


    Liberalizimi i vizave për Kosovën, me uljet e ngritjet që po e karakterizojnë, të mërkurën mori epilog pozitiv. Me rikthimin në agjendë të BE’së, sot u vendos që ky proces të negociohet tutje në Parlament Evropian. Mirëpo për ish-kryeministrin Isa Mustafa, liberalizimi i vizave u vonua si pasojë e ambicieve populliste për karrierë, të Presidentes Vjosa Osmani e Kryeministrit Albin Kurti.

    Krah për krah zhvillimeve të fundit për vizat, filluan edhe diskutimet mbi meritokracinë. Kush ishte meritor për këto zhvillime, e kush jo, u bë temë e ditës në sferën politike në Kosovë, por jo vetëm.

    Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, ish-kryeministri Isa Mustafa, deklaroi se dy krerët e shtetit – kryeministri Kurti e presidentja Osmani – i lanë të izoluar qytetarët për dhjetë vite, shkaku i “ambicieve të tyre populiste”, ndaj edhe i cilëson si fajtorë kryesorë.

    “Një vendim i tillë do duhej të ndodhte qysh në vitin 2016. Atëherë e penguan këta që janë sot në pushtet (Albini, Vjosa dhe disa deputet të LDK-së). Dhjetë vite i lanë qytetarët të izoluar për ambicie të tyre populiste e karrieriste.”

    “Jam i sigurt se do të ndodhë liberalizimi vetëm nëse Kurti dhe Vjosa ia hedhin gazin lotsjellës vetëvetes!”, deklaroi tutje Mustafa, për Reporteri.net.

    “Liberalizimi më së largu më 1 janar 2024”, Presidenca Çeke del me deklaratë

    Ndërsa ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, për nga mënyra se si u trajtua, ai e portretizoi më tepër si pengesë në interesim tutje nga BE’ja (atëbotë), për ta çuar përpara procesin e liberalizimit.

    “Pas ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi (2018) BE-ja nuk bëri asnjë hap, në stilin kur ju nuk e doni veten pse t’ju duam ne!”, tha ish-kryeministri Isa Mustafa.

    Ai tha se ende ka rezerva lidhur me procesin e liberalizimit, edhe pas zhvillimeve të sotme. Sipas tij, janari i vitit 2024 është larg, dhe se gjithçka mund të ndodh.

    “Është një vit i gjatë deri në janar të vitit 2024. I sigurt jam vetëm kur të ndodh”.

    Kurti, meritat ia la Qeverisë së tij

    Me t’u kumtuar vendimi i BE’së për liberalizim të vizave për Kosovën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli me një reagim, të stërmbushur me vetëlëvdata.

    Sipas tij, të çuarit para të procesit të liberalizimit ndërlidhet me punën e Qeverisë Kurti drejt luftimit të korrupsionit dhe përforcimit të ligjshmërisë në vend.

    “Ky vendim është njohje dhe konfirmim i përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit”, shkroi Kurti në reagimin e tij.

    Mirëpo, nuk vonoi shumë, e kjo deklaratë e tij u kundërshtua nga opozita.

    Ishte nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila iu kthye kundër kryeministrit, me një koment që përkon me atë të Mustafës.

    “Sa për kontributin tuaj në këtë proces, ai fillon dhe përfundon me gazin lotëshjellës në parlament”, shkroi Çitaku, duke iu referuar kohës kur liberalizimi i vizave lidhej me ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Mal të Zi.

    “Kryeministër, kriteret Kosova i ka përmbushur moti. Siç shpresoja ta kishit kuptuar së paku javën e kaluar kur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën u hoq nga agjenda, vonesat për Kosovën, së paku nga viti 2018 janë të pajustifikueshme dhe të natyrës politike”, përfundoi Çitaku.

    BE ia jep dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën

    Sot, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, janë pajtuar që ta shtyjnë përpara procesin e liberalizimit të vizave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky bëri të ditur se liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS, dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.

    “Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian shpejt për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë, dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ai.

    Detaje: Liberalizimi i vizave në fuqi me funksionalizimin e sistemit ETIAS, më së largu deri më 1 janar 2024

    Por, çfarë është ETIAS?

    ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit.

    Është sistem tërësisht elektronik, i cili lejon dhe mban gjurmët e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në zonën Shengen.

    Në njëfarë mënyre, i ngjan Sistemit Elektronik të ShBA për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm.

    Procedurat ligjore për kalimin e ETIAS kanë nisur në vitin 2016 dhe sistemi pritet të jetë plotësisht funksional në maj 2023.

    ETIAS do t’i nënshtrohet një kontrolli të detajuar sigurie të secilit aplikant për të përcaktuar nëse ata mund të lejohen të hyjnë në ndonjë vend të Zonës Shengen.

    Procedura është e thjeshtë dhe e shpejtë dhe mund të bëhet përmes faqes së internetit.

    Formulari kërkon të dhënat e udhëtarit, si dhe informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore, udhëtimet në vendet e luftës dhe precedentët kriminale. Aplikimi për autorizimin do të kushtojë 7 euro për person. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!